Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot, më 10.12.2021, mbledhjen plenare të radhës në prezencë të dhjetë anëtarëve, në mungesë të z. Sandër Beci.
Duke iu përmbajtur rendit të ditës, Këshilli shqyrtoi çështjet si vijon:
Këshilli vendosi miratimin i raportit për analizimin e aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit z. Erind Reovica, Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, të znj. Elina Kombi, Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe të z. Edmond Shytko, Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.
Një kopje e këtyre raporteve i dërgohet Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Gjithashtu, gjatë paradites së sotme, Këshilli zhvilloi intervistat me tre kandidatët, të cilët kanë aplikuar për dy pozicione vakante në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar (SPAK). Këto dy pozicione janë të shpallura vakante nga KLP, me Vendimin nr. 319, datë 04.10.2021.
Kandidatët janë z. Alfred Shehu, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, z. Elvin Gokaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës dhe znj. Sonila Muhametaj (Domi), prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Pasi u njohën me arsyet e kandidimit dhe vizionin e tyre për të qenë pjesë e kësaj strukture, anëtarë të Këshillit dhe znj. Michelle Lakomy, këshilltare ligjore rezidente pranë OPDAT-it, bënë pyetje lidhur me figurën, integritetin dhe karrierën profesionale të secilit prej tyre.
Këshilli do të bëjë vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për SPAK, më datë 13.12.2021.