Vendime të marra në mbledhjen plenare të datës 13.12.2021

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot, më 13.12.2021, mbledhjen plenare të radhës.

Pas vlerësimit e të 3 (tre) kandidatëve-prokurorë, z. Alfred Shehu, z. Elvin Gokaj dhe znj. Sonila Muhametaj (Domi), të cilët kanë aplikuar për dy vende vakante në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Këshilli vendosi renditjen e kandidatëve, si vijon:

  1. Elvin Gokaj (216 pikë);
  2. Alfred Shehu (211 pikë);
  3. Sonila Muhametaj Domi (208 pikë).

Në vijim, Këshilli vendosi emërimin e prokurorëve, përkatësisht z. Elvin Gokaj dhe z. Alfred Shehu, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nëpërmjet procedurës së ngritjes në detyrë.

Gjatë ditës së sotme, Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi gjithashtu seancën dëgjimore mbi procedimin disiplinor (nr.1294/4, datë 12.10.2021), filluar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë ndaj magjistratit {…}, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë {…}, për shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës. Bashkëlidhur kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor është përcjellë raporti i hetimit disiplinor së bashku me dosjen hetimore.

Në nisje të seancës, kryetari i Këshillit, z. Gent Ibrahimi vendosi miratimin e kërkesës së dy anëtarëve, znj. Nurihan Seiti dhe z. Bujar Sheshi, për dorëheqjen nga ky procedim disiplinor, për shkak të konfliktit të interesit.   

Në seancë, Këshilli dëgjoi një përmbledhje të raportit hetimor të paraqitur nga znj. Lindita Ziguri, inspektore pranë Inspektorit të Lartë i Drejtësisë, si dhe prapësimet e subjektit të procedimit disiplinor, i cili ka pretenduar se ILD ka shkelur të drejtat procedurale gjatë hetimit dhe procedimit disiplinor.

Subjekti i procedimit disiplinor {…} ka informuar të pranishmit se ka bërë ankesë pranë Gjykatës Kushtetuese, lidhur me procedurat e ndjekura nga ILD-ja, dhe kërkoi pezullimin e seancës së sotme dëgjimore, deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese.

Lidhur më këtë fakt, sipas dispozitave të parashikuara në ligji 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, Këshilli i bëri të ditur subjektit të procedimit disiplinor, se Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë për shqyrtimin e ankimeve ndaj ILD-së, dhe i vetmi organ, i cili i shqyrton këto ankime, është KLP-ja.

Në këto kushte, KLP rrëzoi kërkesën e prokurorit {…} për pezullimin e seancës dëgjimore. Gjithashtu, KLP rrëzoi pretendimet e prokurorit {…}për mosnjohje të të drejtave të tij procedurale, si e drejta e përfaqësimit me avokat mbrojtës gjatë seancës dëgjimore për procedimin disiplinor filluar nga ILD-ja ndaj tij, sikurse pranoi kërkesën e subjektit për të paraqitur prova të reja, sipas pretendimeve të tij.

Në vazhdim të seancës, disa nga anëtarët e Këshillit iu drejtuan pyetje palëve në lidhje me sqarimin e çështjeve dhe rrethanave, për të cilat Këshilli kishte interes.

Në përfundim të seancës dëgjimore, palët paraqitën pretendimet përfundimtare, ku nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u ripohua kërkesa për procedim disiplinor si dhe propozimi për dhënien e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”.

Nga ana e prokurorit u kërkua rrëzimi i kërkesës së ILD-së, duke e cilësuar atë si të pabazuar në ligj dhe në fakte.

Këshilli njoftoi se vendimi përfundimtar në lidhje me këtë procedim disiplinor do të merret në seancën plenare të Këshillit, planifikuar të zhvillohet më 17.12.2021, ora 11.00.