Këshilli i Lartë i Prokurorisë mirëpret tre anëtarët e rinj nga radhët e prokurorëve

Sot, më 17.12.2021, Këshilli i Lartë i Prokurorisë organizoi një ceremoni mirëseardhjeje me rastin e fillimit të detyrës së anëtarëve të rinj të Këshillit, të zgjedhur nga Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve, e cila u zhvillua më datë 15.10.2021.

Tre anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë të Prokurorisë janë z.  Sokol Stojani nga Prokuroria e Përgjithshme, z.  Ludovik Dodaj nga Prokuroritë e Apelit dhe z. Zeqir Hoda nga Prokuroritë të Shkallës së Parë.

Ata janë përfaqësues nga tre shkallët e prokurorisë, për një mandat 5-vjeçar, dhe do të zëvendësojnë në detyrë tre anëtarë prokurorë të Këshillit, përkatësisht z. Vatë Staka, prokuror nga  Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, z. Moisi Duda, prokuror nga Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Durrës, dhe z. Kostaq Beluri, prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, të cilëve u përfundon mandati.

Në fjalën e tij, Kryetari Gent Ibrahimi falënderoi anëtarët që përfunduan mandatin, duke njohur  kontributin e tyre përgjatë tre viteve të para të krijimit të Këshillit, duke u shprehur se ardhja e anëtarëve të rinj shënon ripërtëritjen e parë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që prej konstituimit të tij në dhjetor 2018. 

Z. Ibrahimi theksoi se, në tre vjetorin e tij, Këshilli ka shumë arsye të ndihet krenar për arritjet e tij, si ngritja mbi themele të forta e një institucioni të ri, produkt i reformës në drejtësi, zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm, të 17 prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), të drejtuesve të SPAK dhe BKH, emërimi i 19 drejtuesve në prokuroritë e Shkallës së Parë dhe Apelit, si dhe vlerësimi i 74 studentëve të profilit prokuror, të cilët ndjekin programin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës.

Sfidat që Këshilli ka në vitin e ardhshëm lidhen me konsolidimin dhe njësimin e praktikave me KLGJ dhe ILD, procesin e vlerësimit të të gjithë prokurorëve në sistem dhe plotësimin e strukturës së SPAK, me 3 prokurorë të tjerë.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë u uron suksese anëtarëve të rinj në përmbushjen e detyrës së tyre kushtetuese.