Vendime të marra në mbledhjen plenare të datës 17.12.2021

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot, më 17.12.2021, mbledhjen plenare të radhës  në  praninë e të gjithë anëtarëve, ku ishin të ftuar përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë dhe programi i asistencës OPDAT.

Këshilli vendosi miratimin e raportit për analizimin e aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit, znj. Ervisa Hyka, Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, të znj. Eriselda Bala, Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë,  dhe të z. Erion Shehaj, Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë. Një kopje e raporteve u dërgohet institucioneve të vetingut dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM).

Me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi caktimin e përkohshëm për një periudhë 3 (tre) mujore të z. Rifat Kojku, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, të z. Elion Mustafaj, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, të z. Kleanth Zeka, në pozicionin e Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Vlorë, të z. Dritan Gripshi, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, të z. Neritan Hoxha, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, të znj. Elida Hoxhaj, në pozicionin e Prokurores në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Vlorë, të znj. Pranvera Gruda, në pozicionin e Prokurores në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, dhe të znj. Violeta Shkurta, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.

Këshilli  vendosi unanimisht të konsiderojë të përfunduar verifikimin e pasurisë dhe figurës të prokurorit z. Aurel Zarka, kandidat për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.

Këshilli, me Vendimin Nr. 226, datë 05.07.2021, transferoi përkohësisht me pëlqimin e tij, prokurorin Xhevahir Lita,prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në detyrën e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për një periudhë gjashtëmujore nga data 05.07.2021 – 04.01.2022. 

Sa më sipër, Këshilli vendosi unanimisht zgjatjen të afatit e transferimin të përkohshëm me pëlqimin e tij, të prokurorit Xhevahir Lita, në detyrën e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për një periudhë gjashtëmujore, nga data 05.01.2022 deri më 04.04.2022. Gjithashtu, Këshilli vendosi unanimisht caktimin e përkohshëm të prokurorit Xhevahir Lita, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për një afat tjetër tremujor, nga data 05.01.2022 – 04.04.2022.

Në vazhdim, Këshilli vendosi miratimin e lejes së papaguar të z. Astrit Halilaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për 4 (katër) muaj, duke filluar nga data 21.12.2021 deri më 20.04.2022.

Për shkak të emërimit si prokuror në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Këshilli vendosi ndërprerjen e caktimit të përkohshëm të z. Elvin Gogaj, në pozicionin e Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, dhe të z. Alfred Shehu, në pozicionin e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë.

Për vendin vakant të prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, krijuar nga emërimi i z. Alfred Shehu në SPAK, Këshilli vendosi të shpallë fillimin e procedurave për plotësimin e një vakance të përkohshme, nëpërmjet procedurës së transferimit të përkohshëm me pëlqim. Subjektet, të cilët kanë të drejtë të kandidojnë, kriteret që duhet të plotësojnë, afati i dorëzimit të shprehjes së interesit, dokumentacioni që duhet të dorëzojnë dhe adresa ku do të dorëzohet shprehja e interesit, do të njoftohen në faqen zyrtare të Këshillit.

Gjithashtu, Këshilli vendosi të pranojë kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedimin disiplinor nr. 2709/56, datë 11.10.2021, ndaj prokurorit Shkëlqim Kokona, për shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës, parashikuar nga neni 148/d, pika 2, germa “a” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe shkelje disiplinore, të parashikuar nga neni 102, pika 1 germa “b” nënpika “ii”, neni 102 pika 1 germa “ç”, “d”, “dh”, “g” dhe neni 102 pika 2 germa “a” dhe “dh” të ligjit nr. 96/2016  “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.

Për rrjedhojë, Këshilli vendosi dhënien e masës disiplinore “Shkarkim nga Detyra” për magjistratin Shkëlqim Kokona, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec dhe pezullimin e përfitimit të pagës ne masën 50 %, si dhe përfitimeve të tjera të magjistratit, derisa vendimi të marrë formë të prerë.

Bazuar në nenin 149/a të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenet 166, 168 pika 2, 189 germa “c” dhe 190 pika 4 të Ligjit Nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi miratimin e Rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e brendshëm të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”.

Në përfundim të seancës plenare, KLP vendosi të deklarojë mbarimin e mandatit për tre anëtarë prokurorë z. Kostaq Beluri, z. Moisi Duda dhe z. Vatë Staka me datë 18.12.2021, për shkak të mbarimit të mandatit 3 (tre) vjeçar dhe rikthimin e tyre në detyrën e mëparshme.