Vendime të marra në mbledhjen plenare të datës 20.12.2021

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot, më 20.12.2021, mbledhjen plenare të radhës, në  praninë e të gjithë anëtarëve.

Me propozim të z. Gent Ibrahimi dhe z. Bujar Sheshi, dhe me miratimin unanim të anëtarëve të Këshillit, rendit të ditës iu shtuan dy çështje, për diskutim dhe miratim.

Këshilli vendosi të caktojë relatorin për procedurën e ngritjes në detyrë, për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë. Sipas shortit, relatore u caktua znj. Eloida Goxhi.

Në vijim, Këshilli vendosi caktimin e anëtarëve të rinj në Komisionet e Përhershme të Këshillit. Ata zëvendësojnë përkatësisht ish-anëtarët, z. Kostaq Beluri, z. Vatë Staka dhe z. Moisi Duda, të cilëve u mbaroi mandati më 17.12.2021.

Sa më sipër, anëtari i ri i Këshillit z. Sokol Stojani do të jetë anëtar i Komisionit të Planifikimit Strategjik, Administrimit dhe Buxhetit, si dhe i Komisionit Disiplinor, gjithashtu edhe anëtar zëvendësues në Komisionin e Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale; z. Ludovik Doda do të jetë anëtar në Komisionin e Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale dhe anëtar zëvendësues në Komisionin Disiplinor; z. Zeqir Hoda do të jetë anëtar në Komisionin e Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale. 

Këshilli vendosi caktimin e z. Zeqir Hoda, në detyrën e Kryetarit të Komisionit për Mbrojtjen e Prokurorëve, për mandat dy vjeçar. Z. Hoda zëvendëson në këtë detyrë, ish-anëtarin e Këshillit, z. Moisi Duda.

Gjithashtu, Këshilli vendosi caktimin e z. Alfred Balla, në funksionin e anëtarit të Bordit të Qendrës së Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë. Z. Balla zëvendëson në detyrë, ish anëtarin e Këshillit, z. Vatë Staka. Ky bord funksionon pranë KLGJ-së dhe përfaqësuesi i KLP-së është njëkohësisht edhe Zëvendëskryetar i tij.