KLP shtyn seancën dëgjimore në ngarkim të magjistrates, me detyrë Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot, më 28.12.2021, seancën dëgjimore mbi procedimin disiplinor nr. 2346 prot., datë 29.10.2021, ardhur nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në ngarkim të magjistrates{…}, me detyrë Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë {…}.

Seanca u zhvillua nën drejtimin e Zv/ Kryetarit të Këshillit, z. Alfred Balla dhe në praninë e 8 (tetë) anëtarëve, në mungesë z. Gent Ibrahimi, znj. Esmeralda Keshi dhe z. Ludovik Doda. Në seancë ishin të pranishëm inspektorët e ILD-së, znj. Alma Tafani dhe z. Julian Zonja.

Kryesuesi i seancës, z. Alfred Balla njoftoi se prokurorja {…}ka paraqitur pranë Këshillit një raport mjekësor, ku për shkak të gjendjes shëndetësore, prokurorja, subjekt i procedimit disiplinor, e ka të pamundur të paraqitet sot para Këshillit, dhe kërkon shtyrjen e seancës.

Në nisje të seancës, anëtari Sokol Stojani paraqiti para Këshillit deklarimin e papajtueshmërisë, për shkak të pjesëmarrjes në procedim. Zoti Stojani informoi Këshillin se, gjatë studimit të dosjes, konstatoi se, gjatë ushtrimit të detyrës së mëparshme si Drejtor i Drejtorisë së Koordinimit Institucional në Prokurorinë e Përgjithshme, ai ka sigluar si dhe ka nënshkruar shkresa të brendshme në kuadër të praktikës së monitorimit të prokurores {…}, mbi rezultatet e së cilës Prokurori i Përgjithshëm ka vënë në lëvizje Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për hetimin disiplinor ndaj saj, pra, për çështjen objekt shqyrtimi nga ky Këshill. Gjithashtu, z. Stojani kërkoi zëvendësimin e tij si relator për këtë procedim disiplinor.

Pasi pranoi deklarimin  e papajtueshmërisë për shkak të pjesëmarrjes në procedim të z. Sokol Stojani, Këshilli vendosi të caktojë datën 10.01.2022, ora 10.00, për zhvillimin e seancës dëgjimore mbi procedimin disiplinor në ngarkim të magjistrates {…}, me detyrë Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë {…}.