KLP dhe KLGJ organizuan Mbledhjen e parë të Përbashkët Vjetore

Sot, më 29.12.2021, në ambjentet e Hotelit “Mak Albania” (ish Sheraton), u zhvillua Mbledhja e Parë e Përbashkët Vjetore midis Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Të pranishëm ishin përfaqësues të nivelit të lartë nga institucionet e Presidentit të Republikës, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit, Gjykatës së Posaçme të Apelit, SPAK, Prokurori i Përgjithshëm, Shkollës së Magjistraturës dhe përfaqësues të OPDAT-it dhe organizatave të tjera, të cilat monitorojnë zbatimin e reformës në drejtësi.

Në zbatim të nenin 170 të Ligjit 115/2016 “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, i ndryshuar, për bashkëpunimin ndërinstitucional të aktorëve të sistemit të drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, të paktën 1 herë në vit, organizojnë mbledhje të përbashkëta për shkëmbimin e përvojave, për unifikimin e interpretimit dhe zbatimit të ligjeve, lidhur me ushtrimin e funksioneve dhe organizimit të tyre, si dhe të çështjeve të përgjithshme të lidhura me funksionimin e sistemit të drejtësisë.

Mbledhja u hap me fjalën e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Z. Gent Ibrahimi, i cili u ndal në sfida dhe problematikat e shkaktuara në sistemin gjyqësor, si rezultat i zbatimit të legjislacionit për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke identifikuar dhe nënvizuar sfidat dhe mjetet që Këshillat mund të përdorin për zbutjen e pasojave.

Gent Ibrahimi: “Ne jemi së bashku përgjegjës për menaxhimin e sistemit të drejtësisë. Kjo është mbledhja e parë e dy Këshillave, sepse të dy institucioneve menaxhojnë statusin dhe  karrierën e magjistratëve. Jemi familjet e prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe çështjet që kemi zgjedhur për t’i trajtuar sot kanë ndjeshmëri publike.  Shqetësimet tona jam i bindur që përkojnë plotësisht me ato të shoqërisë. Vettingu është një politikë publike, që gëzon një legjitimitet të plotë, por pasojat e tij janë ato që janë. Sot po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të marrë drejtësi në dyert e institucioneve të drejtësisë. Detyra jonë është të gjejmë mjetet dhe mënyrat për të adresuar këtë problem, për të zbutur pasojat e Vettingut. Dje, KLGJ filloi të diskutonte njërën nga këto instrumente me hartën e re gjyqësore, por ne kemi më shumë se kaq instrumente në dorë, ndaj jemi mbledhur sot. Çështja e parë që do të diskutojmë është pikërisht problematikat e shkaktuara në sistemin e drejtësisë si rezultat i zbatimit të Vettingut. Sfidat janë evidente. Ajo çfarë ne do të diskutojmë me përparësi sot, janë mjetet, metodat, që kanë në dispozicion dy Këshillat për ta zbutur këtë problematikë”.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Naureda Llagami e cilësoi këtë takim një mundësi jo vetëm për tu vetë-lavdëruar për arritjet por edhe për një reflektim serioz, realist dhe të përgjegjshëm. Ajo theksoi se ky takim shërben për të shkëmbyer përvojat dhe unifikuar interpretimin dhe zbatimin e kuadrit ligjor në fuqi.

Në këtë takim, temat kryesore që u trajtuan nga Z. Bujar Sheshi dhe Z.Alfred Balla si dhe anëtarët përkatës nga Këshilli i Lartë Gjyqësor,  u fokusuan kryesisht tek mekanizmat për të zbutur efektet e vetting-ut si dhe përmirësimi i transparencës dhe marrëdhënieve me publikun dhe median, duke bërë rekomandime përkatëse, për përmirësimin e tyre.