Njoftim mbi seancën dëgjimore

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot, më 20.01.2022, seancën dëgjimore mbi procedimin disiplinor nr. 2346 prot., datë 29.10.2021, ardhur nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në ngarkim të magjistratit{…}, me detyrë prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë{…}.

Seanca u zhvillua në praninë e 8 (tetë) anëtarëve, në mungesë z. Sokol Stojani, znj. Esmeralda Keshi dhe z. Sandër Beci. Në seancë ishin të pranishëm inspektorët e ILD-së, znj. Alma Tafani, z. Julian Zonja dhe magjistratja subjekt i procedimit disiplinor.

Pasi u njohën me raportin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe dëgjuan argumentet mbrojtëse nga ana e magjistrates, anëtarët e Këshillit i bënë pyetje rreth shkeljeve të evidentuara në 33 dosje penale të hetuara nga ILD dhe 300 kallëzime, ku nuk është kryer asnjë veprim verifikimi, dhe për pasojat e shkaktuara nga  mos fillimi ose mos përfundimi i veprimeve hetimore në kohën e përcaktuar nga Kodi i Procedurës Penale.

Nga ana e saj, prokurorja konsideroi se, numri i madh i dosjeve që ka pasur në ngarkim, dhe gjendja e saj familjare dhe shëndetësore, kanë qenë pengesa kryesore për zvarritjen e çështjeve ndër vite. Ajo i kërkoi Këshillit të vlerësojë gjithë karrierën e saj profesionale në rrethana të sipërpërmendura, dhe të mos vendosë mbi masën disiplinore “Shkarkim nga detyra”, kërkuar nga zyra e ILD-së.

Në përfundim, Këshilli njoftoi se do të dalë me vendim përfundimtar mbi masën disiplinore, për magjstraten {…}, me detyrë Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë {…}, pas 15 ditësh.