Vendime të marra në mbledhjen plenare të datës 24.01.2022

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot, më 24.01.2022, mbledhjen plenare të radhës në praninë e 10 (dhjetë) anëtarëve, në mungesë për arsye shëndetësore, të z. Sandër Beci.

Me shumicë votash, Këshilli vendosi për zgjatjen e afatit me një periudhë tjetër tremujore, për 5 (pesë) caktime të përkohshme, përkatësisht: të z. Asllan Bajramaj, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet; të z. Aurel Zarka, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë; të z. Kledian Llaho, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë; të znj. Elidjana Kasa, në pozicionin e Prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, dhe të z. Kujtim Basha, në pozicionin e Prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Durrës.

Me 7 vota pro dhe 3 kundër (z. Gent Ibrahimi, znj. Nurihan Seiti dhe z.Sokol Stojani), Këshilli vendosi caktimin e përkohshëm të z. Moisi Duda, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, për një periudhë tremujore nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Me propozimin e Komisionit të Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale, Këshilli vendosi të fillojë procedurat e verifikimit të pasurisë dhe figurës si dhe të caktojë me short relatorët për 22 kandidatët për magjistratë prokurorë, të cilët do të diplomohen nga Shkolla e Magjistraturës në vitin 2022, si më poshtë: Ajkuna Anxhaku, Alban Syri, Albulena Kuliçi, Alisa Spahja, Armida Kaçi, Besmira Vishe, Blerina Musabelliu, Denis Hyka, Denisa Plaku, Eni Çulli, Entela Hasmujaj, Esmeralda Basho, Griselda Haxhiaj, Iva Harka, Ledjana Shkurti, Leonard Suçi, Matilda Fetau, Matilda Peza, Ndriçim Halilaj, Redona Ndoni, Urim Kalia dhe Vasjana Postol.

Në përfundim të procesit të verifikimit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të vendosë lejimin ose ndalimin e kandidatëve, të cilët do të diplomohen, për t’u emëruar më pas magjistratë prokurorë.

Me propozim të Komisionit për Zhvillimin e Karrierës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të miratojë shkallën e vlerësimit për secilin kriter të posaçëm, për kandidatët (z. Albert Kuliçi  dhe z. Aurel Zarka)  për pozicionin e Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë dhe caktoi datën 03.02.2022, ora 11.00 për intervistat e tyre.