Vendime të marra në mbledhjen plenare të datës 31.01.2022

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot, më 31.01.2022, mbledhjen plenare të radhës.

Me shumicë votash, Këshilli vendosi zgjatjen me një periudhë tremujore të caktimit të përkohshëm të znj. Suela Beluli, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, në detyrën e prokurores në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, përkatësisht nga data 03.02.2022 – 02.05.2022.

Pas një analize të nevojave të sistemit dhe të faktorëve që ndikojnë në përcaktimin e numrit maksimal të kandidatëve, në janar të çdo viti, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka detyrimin ligjor të përcaktojë numrin maksimal të kandidatëve magjistratë të profilit prokuror që pranohen në Shkollën e Magjistraturës, në programin e formimit fillestar për vitin akademik 2022-2023.

Me votë unanime, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi se numri maksimal i kandidatëve për magjistratë të profilit prokuror që do të pranohen në programin e formimit fillestar të Shkollës së magjistraturës për vitin akademik 2022-2023, është 35 kandidatë.

Me propozim të Komisionit të Disiplinës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, vendosi pranimin e kërkesës Nr.2346 prot., datë 29.10.2021, të paraqitur nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për procedim disiplinor ndaj prokurores Belina Zeneli (Kryemadhi), për shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës, parashikuar nga neni 148/d, pika 2, germa “a” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe shkelje disiplinore të parashikuara nga neni 102, pika 1 germa “ç“, “d”; neni 105, pika 1, shkronja “dh” dhe neni 111 pika 1, germa “b”, të ligjit Nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar dhe dhënien e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra” për magjistraten Belina Zeneli (Kryemadhi), me detyrë prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit GjyqësorDibër. Gjithashtu, Këshilli vendosi Pezullimin e përfitimit të pagës në masën 50 %, si dhe përfitimet e tjera të magjistratit, derisa vendimi të marrë formë të prerë.