AKTIVITETEPËR MEDIAT

Njoftim për Media

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ka zhvilluar mesditën e sotme, mbledhjen plenare të datës 15 shkurt 2022. Mbledhja është mbajtur në prani të të gjithë anëtarëve të Këshillit, por ka nisur në mungesë të z. Sandër Beci.

Me propozim të znj. Seiti, rendit të ditës iu shtua edhe një pikë tjetër, për paraqitjen e raportit vjetor të veprimtarisë për Komisionin e Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale. Siç ishte parashikuar edhe në axhendë, mbledhja ka filluar me miratimin e proces-verbaleve të datave 31 janar 2022, 3 shkurt 2022 dhe 7 shkurt 2022.

Pasi u njoh me relacionin e përgatitur nga Komisioni për Zhvillimin e Karrierës, Këshilli vendosi unanimisht, në mungesë të z. Beci, miratimin për caktimin e përkohshëm për Drejtuesin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, z. Lazër Çardaku si dhe Drejtuesin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, z. Durim Bedini.

Në kuadër të përmbushjes së detyrimit ligjor për vlerësimin e prokurorëve, gjatë mbledhjes së sotme u miratuan 2 (dy) raporte për vlerësimin e aftësive profesionale të subjekteve të rivlerësimit.

Këshilli miratoi me 10 vota pro (në mungesë të z. Balla), raportin e vlerësimit për z. Alfred Sali, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë si dhe atë të znj. Marsida Frashëri, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër, me 2 vota kundra (z. Stojani dhe z. Bazaj) dhe 8 vota pro.

Më pas, mbledhja vijoi me paraqitjen e 4 (katër) raporteve vjetore për veprimtarinë e komisioneve të përhershme të Këshillit, për vitin 2021, përkatësisht: të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës; Komisionit të Disiplinës; Komisionit për Mbrojtjen e Prokurorëve dhe të Komisionit të Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale.

Për t’u njohur me regjistrimin audio të mbledhjes, klikoni këtu.