Seancë plenare jashtë radhe e Këshillit të Lartë të Prokurorisë

Shtyhet për në datë 28.03.2022 zgjedhja e Kryetarit të ri

Sot paradite, më datë 02.03.2022, Këshilli i Lartë i Prokurorisë organizoi një seancë plenare të posaçme në sallën e mbledhjeve të Këshillit, nën drejtimin e Zëvendëskryetarit, z. Alfred Balla.

Seanca u mbajt në prani të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku ishin të ftuar përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Programi OPDAT.

Për pikën e parë të rendit të ditës, Zëvendëskryetari i Këshillit, z.Balla ia dha fjalën anëtarit të Këshillit, z.Sandër Beci, i cili lexoi relacionin mbi deklarimin e mbarimit të mandatit të Anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë z. Gent Ibrahimi.

Sa më sipër, Këshilli miratoi me 10 vota pro projektvendimin për mbarimin e mandatit të Anëtarit të KLP-së, z. Gent Ibrahimi.Znj. Mirela Bogdani nuk mori pjesë në këtë votim.

Kuvendi i Shqipërisë ka zgjedhur për një mandat pesëvjeçar si Anëtare të KLP-së, znj. Mirela Bogdani, në vend të z.Gent Ibrahimi.

Më pas u kalua në pikën e dytë të rendit të ditës, që ishte zgjedhja e Kryetarit të ri të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili, sipas ligjit, zgjidhet nga radha e 5 (pesë) anëtarëve joprokurorë të Këshillit.

Kjo pikë u diskutua nga anëtarët e Këshillit, me argumentin se kandidatëve potencialë për kryetar të KLP-së u duhet dhënë një kohë e mjaftueshme për t’u njohur me procedurat, në mënyrë që, seicili të ketë mundësi të përgatisë platformën e tij me shkrim dhe t’ua përcjellë atë anëtarëve të Këshillit paraprakisht.

Në përfundim, me 11 vota pro, Këshilli vendosi unanimisht për shtyrjen e procedurës për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe në dakordësi me anëtarët, llogaritur procedurat e duhura, u fiksua data 28.03.2022 ora 11:00, mbledhja për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Këshillit.

Për tu njohur me publikimin audio të seancës, ju lutemi klikoni këtu.