Takim i kreut të KLP-së me Ambasadoren Amerikane në Tiranë.

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë zoti Alfred Balla zhvilloi sot një takim me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zonjën Yuri Kim, ku në fokus të tij ishte vijueshmëria e mbështetjes së Këshillit, si organi i pavarur me kompetenca thelbësore në garantimin e statusit dhe karrierës së prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.
Zoti Balla pas shpalosjes së vizionit të Këshillit nën drejtimin e tij si kryetar, i shprehu falënderimet zonjës Kim mbi mbështetjen nga misioni OPDAT në vendin tonë për forcimin e institucioneve të drejtësisë, veçanërisht Strukturës së Posaçme kundër Korrrupsionit (SPAK), si dhe asistencën profesionale dhe të domosdoshme mbi drejtësinë penale.
Zoti Balla siguroi Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës zonjën Kim, në emër të institucionit që drejton, mbi angazhimin maksimal për kryerjen me përgjegjësi të lartë institucionale të raporteve të vlerësimit profesional të prokurorëve, si hallkë e qënësishme e vendimmarrjeve të procesit të rivlerësimit kalimtar (vetting).
Gjithashtu zoti Balla shprehu gatishmërinë e institucionit për të kryer me përgjegjshmëri vendimmarrjet insitucionale me qëllim realizimin e misionit të reformës në drejtësi, si dhe kthimin e besimit të qytetarëve tek drejtësia e organet e reja tashmë të konsoliduara të sistemit.