Sot u zhvillua një takim pune mes Kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, zotit Alfred Balla dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, zotit Artur Metani.
Duke e uruar së pari për detyrën e tij të re, zoti Metani, i shprehu kryetarit të KLP-së besimin se, bashkëpunimi mes dy institucioneve do vijojë, në drejtim të vendosjes së standardeve më të mira të procedimit disiplinor, jo si një mjet ndëshkimor, por mbi të gjitha për edukimin e magjistratëve për të qenë në lartësinë e detyrës që kryejnë, në rolin e kontributorëve të rëndësishëm në misionin e reformës në drejtësi pikërisht, atë të kthimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, u dakordësuan për të vijuar komunikimin institucional në adresimin e problematikave me interes të përbashkët që hasen gjatë zbatimit të ligjit, si dhe dakordësimin dhe koordinimin për zbatimin e standardeve uniforme, përmes garantimit të një procesi të rregullt disiplinor e në respekt të pavarësisë së magjistratëve.