Kryetari i këshillit të lartë të prokurorisë priti në takim një delegacion nga republika e moldavisë

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, zoti Alfred Balla priti sot, më 05 maj 2022, një delegacion me përfaqësues nga Republika e Moldavisë, konkretisht nga Parlamenti, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Ministria e Drejtësisë, Shkolla e Magjistraturës, sistemi gjyqësor, si dhe shoqëria civile.

Takimi u zhvillua në ambjentet e institucionit në praninë e anëtarëve, zonjën Eloida Goxhi dhe zotin Bujar Sheshi.

Zoti Balla pas shpalosjes së vizionit të Këshillit, si institucion i qeverisjes të sistemit të prokurorisë, nën drejtimin e tij si kryetar, i bëri të njohur delegacionit ecurinë e deritanishme, duke identifikuar praktikat pozitive mbi natyrën e vendimmarrjes specifike lidhur me vlerësimin profesional të prokurorëve, si hallkë e qënësishme e vendimmarrjeve të procesit të rivlerësimit kalimtar.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e delegacionit të Moldavisë informuan zotin Balla dhe anëtarët e Këshillit, mbi miratimin e legjislacionit bazë për ngritjen e funksionimin e mekanizmave për kryerjen e procedurave të vlerësimit të trupës së tyre të magjistratëve, si një vendimmarrje paravetting e cila, do të kryejë vlerësimin e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Magjistraturës dhe Këshillin e Lartë të Prokurorëve, si dhe anëtarët e bordeve të këtyre strukturave.

Përfaqësuesit e delegacionit të Moldavisë informuan gjithashtu, mbi prioritet kryesore të reformës në të ardhmen në vendin e tyre dhe, kërkuan veçanërisht një bashkëpunim në kuadër të shkëmbimit të eksperiencave duke qenë se, Këshilli i Lartë i Prokurorisë së Republikës së Shqipërisë ka tashmë një përvojë e cila, do të ishte ndihmesë e vyer për ta.

Pala shqiptare u shpreh mbi rëndësinë e reformës në drejtësi e cila, ka një ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës, duke u investuar në vijimësi mbi përmirësimin e saj në rast nevojash.

Zoti Balla shprehu gatishmërinë e institucionit për të siguruar bashkëpunimin dhe asistencën profesionale të kërkuar, në çdo kohë në të ardhmen, si një mënyrë shkëmbimi eksperiencash dhe praktikash, shumë të vlefshme për veprimtarinë e institucioneve të të dyja vendeve dhe ecurisë së misionit shtetëror respektiv.