Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot më datë 21.05.2022, seancën dëgjimore me kreun e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, zotin Arben Kraja, i cili u paraqit së bashku me zotërinjtë Ened Nakuçi, Altin Dumani, Klodian Braho e Mariel Frroku. Objekt i kësaj seance ishte raportimi vjetor lidhur me veprimtarinë e kësaj strukture, në zbatim të detyrimit ligjor sipas nenit 105, të ligjit Nr.97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë”.
Të pranishëm gjatë seancës ishin të 10 anëtarët e Këshillit, përfaqësuesja e misionit OPDAT, si dhe përfaqësues të mediave në vend.
Zoti Kraja, në këtë raportim të radhës përballë KLP-së, për vitin 2021 siguroi se, puna e kryer nga kjo strukturë është kryer në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Konventave të ratifikuara, Kodit Penal dhe të Procedurës Penale, si dhe akteve të tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi. Gjithashtu, janë mbajtur parasysh rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë drejtuar prokurorisë në përgjithësi, rekomandimet prioritare të Këshillit të Ministrave, si dhe ato të BE-së në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Si fillim zoti Kraja, u fokusua në gjendjen aktuale të strukturave të Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe stafit administrativ, duke analizuar kapacitetet, kualifikimet, si dhe trajnimet e vazhdueshme. Institucioni i Prokurorisë së Posaçme vlerësohet nga drejtuesi i saj si një institucion i konsoliduar në këtë aspekt.
Si një investim të veçantë dhe të domosdoshëm zoti Kraja cilësoi ngritjen e Laboratorit të Eskpertizës Teknologjike, nëpërmjet fondeve jo buxhetore të cilat do të përdoren në vijimësi për nevojat e laboratorit për rritjen e efektivitetit, duke vlerësuar njëkohësisht edhe Qendrën e Përgjimeve, të konsoliduar në dy drejtime, statusin ligjor të administratorëve të saj dhe rekrutimin e administratorit të dytë.
Zoti Kraja e vlerësoi maksimalisht ngritjen e strukturës së Byrosë Kombëtare të Hetimit nën ndihmesën e jashtëzakonshme të Komisionit të përzgjedhjes së anëtarëve, nën ekspertizën e veçantë të ekspertëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE-së. Sipas tij ngritja e kësaj strukure ka dashur investim të veçantë në kohë dhe struktura në dispozicion për shkak të volumit të punës, veçanërisht në drejtim të Komisionit i cili, kryen vetingun e hetuesve dhe administratës të këtij organi.
Aksesi në të dhënat elektronike, është plotësuar në të gjitha bazat e të dhënave elektronike të shtetit shqiptar, gjendjen civile, gjendjen gjyqësore, sistemet e policisë së shtetit, zyrat e regjistrimit të pasurisë, drejtorinë e burgjeve, regjistrin e llogarisë bankare etj.,. Është dakordësuar një marrëveshjeje me Eurobord, e cila është në fazën e implementimit, për të marrë sistemin SIENA për efekt të komunikimit dhe transmetimit të të dhënave në mënyrë të sigurtë.
Lidhur me veprimtarinë specifike të Prokurorisë së Posaçme, zoti Kraja raportoi mbi numrin e kallzimeve penale; procedimet penale të hetuara; përfundimet e hetimeve, vendimet e mosfillimit, si dhe pezullimin e hetimeve të procedimeve penale, duke e vlerësuar punën e kryer si një punë me rezultate konkrete, në ushtrimin e ndjekjes penale kundër korrupsionit, krimit të organizuar, pastrimit të parave, abuzimit me fondet publike, hetimet pasurore për sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale, etj. Këto rezultate janë edhe si pasojë e marrjes së masave të duhura për rritjen e rolit aktiv të prokurorit në hetimin paraprak, në funksion të shtimit të hetimit të filluar kryesisht, si dhe rritjes së efektivitet të punës së prokurorëve në seancat gjyqësore.
Një raportim më i detajuar i drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme ishte lidhur me bashkëpunimin jo vetëm me strukturat në vend, si Policia e Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Shërbimi Informativ Shtetëror, Shërbimi i Inteligjencës Financiare dhe struktura të tjera shtetërore, por edhe me institucionet homologe ndërkombëtare, pikat e kontaktit në BE (magjistrat ose në strukturat policore) si dhe me Eurojust. Janë vazhduar bashkëpunimet në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara me Prokurorin Belge, Eurojust-in, Antimafia-n italiane, autoritetet Holandeze, Gjermane, si dhe dy marrëveshje të reja me shtetin e Kosovës dhe atë të Maqedonisë së Veriut, si dhe janë kryer hetime të përbashkëta.
Gjatë vitit 2021, janë mbajtur komunikime të vazhdueshme me prokurorin e përzgjedhur nga KLP-ja pranë Eurojust, në kuadër të skuadrave të përbashkëta hetimore me shtetet e BE-së, që koordinohen nga Eurojust-i. etj. Raportet me misionet, OPDAT, ICITAP, IPA, ERALIUS, kënë dhenë ndihmesë efektive respektivisht në pajisje fizike dhe ndihmë konkrete, heqjen e burokracisë për hetime konkrete, si dhe asistencë në hartimin e legjislacionit.
Në fund të raportimit të zotit Kraja, Kryetari i KLP-së, zoti Balla, mori fjalën duke kërkuar një informacion nga drejtuesi i Strukturës së Posaçme lidhur me faktin se si ndihet moralisht trupa e Prokurorisë së Posaçme dhe BKH-së, dhe a janë të trysnuar dhe/apo punojnë ata nën presion, duke patur parasysh, retorikën e shtuar politike dhe mediatike në Shqipëri ditët e fundit për veprimtarinë hetimore, lidhur me aludimet për njëanshmëri në hetime dhe ngadalësi në hetimin e disa çështjeve sensitive. Gjithashtu, u pyet nëse ndërmjet dy strukturave të ngritura nga KLP-ja, respektivisht Prokurorisë së Posaçme -u dhe BKH-së, ka ndonjë problematikë konkrete lidhur me bashkëpunimin institucional mes tyre.
Zoti Kraja iu përgjigj pyetjeve të Kryetarit si dhe të gjitha pyetjeve të anëtarëve lidhur me: përmbushjen e veprimtarisë së strukturave; përmbushjen e detyrimeve specifike të BKH-së; sistemin e menaxhimit të çështjeve; veprimtarinë specifike lidhur me ndalimet e kryera; vlerësimin e punës së institucionit që drejton dhe efektivitetin e tij; vënien në efiçencë të strukturave të hetimit; transkriptimin e informacionit të siguruar nga mjetet teknike të posaçme, çështje të cilat duhen parë në fokusin edhe të kostove financiare dhe të të drejtave themelore të njeriut; raportin ngarkesë pune dhe efikasitetin e vendimmarrjes; nëse prokuroria e Posaçme është një strukturë e mirëorganizuar, që siguron ndjekje të plotë penale dhe realizimin e pritshmërisë së opinionit publik; nëse ka probleme me sigurinë e prokurorëve që punojnë në strukturat.
Kryetari i KLP-së, në përfundim të kësaj seance raportimi, pasi saktësoi për opinionin publik se Prokuroria e Posaçme heton edhe shkeljet e barazisë në tendera, krimet zgjedhore, terrorizmin, etj., kundërdrejtoi gjithashtu një pyetje nëse struktura e posaçme ka evidentuar ndonjë nevojë specifike për të inicuar një përmirësim të kuadrit ligjor, duke ofruar të gjithë gatishmërinë e institucionit të KLP-së.
Në fund, në emër të KLP-së, si dhe atë personal, z.Balla përgëzoi Prokurorinë e Posaçme dhe BKH-në për volumin e punës hetimore dhe administrative të kryer përgjatë vitit 2021 duke kërkuar prej tyre të punohet drejt e shpejt edhe në shërbim të funksionit fisnik dhe ligjor, të rikthimit të besimit të qytetarëve tek drejtësia. Ai njoftoi se së shpejti, KLP-ja pas miratimit të rregullores përkatëse, do të fillojë vlerësimin etik dhe profesional të gjithë prokurorëve, e mes tyre edhe të prokurorëve të posaçëm, si dhe do të diskutohet nga Këshilli mundësia për plotësimin e vendeve vakante në Prokurorinë e Posaçme duke mos prishur funksionimin normal të gjithë sistemit të prokurorisë në vend. Duke uruar suksese në detyrë, zoti Balla i kujtoi edhe njëherë zotit Kraja, pritshmëritë e mëdha të qytetarëve të vendit për organin që ai drejton.