Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot më datë 16.05.2022, seancën dëgjimore me Prokurorin e Përgjithshëm, zotin Olsian Çela, i cili u paraqit së bashku me prokurorin zotin Kujtim Luli dhe Sekretarin e Përgjithshëm të institucionit, zotin Luan Abazi. Objekt i kësaj seance ishte raportimi vjetor lidhur me ecurinë e veprimtarisë së prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, në Republikën e Shqipërisë, në zbatim të detyrimit ligjor sipas nenit 105, të ligjit Nr.97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë” i ndryshuar.
Të pranishëm gjatë seancës ishin të 10 anëtarët e Këshillit, si dhe përfaqësues të mediave në vend.
Zoti Çela, në këtë raportim të radhës përballë KLP-së, për vitin 2021 siguroi se, puna e kryer nga Prokuroria është kryer në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara me ligj, Kodit Penal dhe të Procedurës Penale, Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur, si dhe akteve të tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi. Gjithashtu, janë mbajtur parasysh rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë drejtuar prokurorisë në përgjithësi, rekomandimet prioritare të Këshillit të Ministrave dhe ato të BE-së, Plani i Veprimit të Grupit të Shqyrtimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Grupit të Posaçëm të Veprimit Financiar, si dhe prioritet kyçe të shtetit shqiptar në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Prokurori i Përgjithshëm vlerësoi arritjen e rezultateve në një sërë objektivash të fokusit të veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme, nëpërmjet masave administrative dhe procedurale institucionale me miratimet e udhëzimeve të përgjithshme dhe planeve të veprimit për të unifikuar veprimtarinë e prokurorive me juridiksion të përgjithshëm dhe mbikëqyrjen e zbatimit tyre.
Zoti Çela përshkroi në mënyrë të përmbledhur aspektet e veprimtarisë së prokurorisë për vitin 2021, mbi organizimin e brendshëm, gjendjen, progresin, problematikat dhe mbështetjen që synohet, ku shpjegoi se, për shkak të vakancave numri i përgjithshëm faktik i prokurorëve ka qenë 205, tregues që evidenton se 116 prokurorë i mungojnë prokurorive me juridiksion të përgjithshëm.
Analiza e referuar e zotit Çela u strukturua në punën e prokurorive me juridiksion të përgjithshëm, atë të prokurorisë pranë gjykatave të apelit në përfundim, të vetë institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme. Puna ka vijuar me miratimin e dy rregulloreve standard, për organizimin dhe funksionimin e prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë dhe prokurorive pranë gjykatave të apelit me juridiksion të përgjithshëm, si dhe një sërë udhëzimesh të tjera të përgjithshme.
Prokurori i Përgjithshëm në vijim të punës së nisur për shmangien e efekteve të krijuara nga ulja e numrit të prokurorëve për shkak të procesit të rivlerësimit kalimtar, për të lehtësuar rritjen e ngarkesës dhe mbështetur veprimtarinë e prokurorëve me numër të reduktuar në sistemin e prokurorisë, i ka kërkuar Komisionit të Policisë Gjyqësore rritjen në 250 të numrit organik të oficerëve të policisë gjyqësore në seksionet pranë prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe kryerjen e procedurave për emërimin e tyre sipas nevojave në disa prokurori, ku është mundësuar emërimi i 25 prej tyre.
Lidhur me punën e kryer në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm, zoti Çela përshkroi problematikat dhe çështjet që kërkojnë vëmendje të veçantë, duke u ndalur në disa tregues të performancës së prokurorive mbi procedimet e ndjekura, të regjistruara, të rifilluara, të mosfillimit të tyre, të përfunduara, si dhe procedimet penale të dërguara për gjykim të cilat janë pushuar, kthyer për hetime të mëtejshme dhe/apo për urdhërimin e formulimit të akuzës, pezulluar dhe transferuar në prokuroritë kompetente.
Në përfundim të raportimit të treguesve të performancës zoti Çela shprehu faktin se, evidentohet nevoja për të rivlerësuar numrin faktik të prokurorëve në ato prokurori ku numri mesatar i ngarkesës për prokuror është i lartë dhe me tendencë në rritje të treguesve të procedimeve në ndjekje, me synim unifikimin e ngarkesës së prokurorëve sa më afër nivelit mesatar në të gjitha prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm.
Lidhur me punën e kryer në prokuroritë e apelit me juridiksion të përgjithshëm zoti Çela raportoi se, në kuadrin e vlerësimi të performancës së prokurorive të apelit, raporti në përqindje i procedimeve të përfunduara me çështjet e regjistruara në secilën prokurori apeli për vitin 2021, evidenton dhe efikasitetin e punës të secilës prokurori apeli, ku pasqyrohet gatishmëria dhe mundësia e secilës prokurori për të përfunduar brenda vitit procedimet e regjistruara.
Analiza e kryer mbi ngarkesën mesatare për çështjet e përfunduara nga prokurorët e apelit, evidentojnë nevojën për të rivlerësuar numrin faktik të prokurorëve në ato prokurori ku, numri mesatar i ngarkesës për prokuror është i lartë dhe me tendencë në rritje të treguesve të procedimeve në ndjekje, me synim unifikimin e ngarkesës së prokurorëve të apelit sa më afër me nivelin e ngarkesës mesatare në të gjitha prokuroritë pranë gjykatave të apeleve me juridiksion të përgjithshëm. Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm referoi edhe elementët e përformancë bazuar në heqjen dorë të ankimeve të prokurorit të shkallës së parë për çështje themeli, si dhe vendimmarrjet e gjykatës lidhur me: kërkimet për lehtësim të pozitës së të pandehurit; kërkimet për prishjen e vendimit dhe vendosjen e pushimit ose pafajësi; kërkimet për prishjen e vendimit dhe kthimi i akteve, si dhe mbështetjen e kërkesës së prokurorit të apelit për lënie në fuqi të vendimit të shkallës së parë dhe kërkesën e prokurorit për rëndimin e pozitës së të pandehurit.
Prokurori i Përgjthshëm u fokusua në veprimtarinë e Prokurorisë së Përgjithshme e cila, theksoi ai, ka vijuar në realizimin e misionit dhe objektivave prioritare, duke përgatitur dhe miratuar udhëzime të karakterit të përgjithshëm, duke u angazhuar për normimin dhe unifikimin e veprimtarive administrative dhe funksionale në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm, me synim garantimin e pavarësisë së prokurorëve, rritjen e efektivitetit në kryerjen e hetimeve ushtrimin e ndjekjes penale dhe ngritjen e përfaqësimin e akuzës në gjykatë, ashtu dhe për përgatitjen e projekt-akteve të përbashkëta me institucione të tjera të përfshira për rritjen e eficencës në bashkëpunimin ndërinstitucional me strukturat hetimore të shërbimeve të policisë gjyqësore dhe agjensitë ligjzbatuese për rritjen e efektivitetit në veprimtarinë proceduriale penale dhe në ushtrimin e funksioneve apo detyrave të tjera të parashikuara me ligj.
Zoti Çela veçoi udhëzimin për funksionimin e strukturës së monitorimit në sistemin e prokurorisë dhe bashkërendimi me institucionet kushtetuese e ligjore, nën asistencën e ekspertëve të projektit EURALIUS V, i cili përcakton rregullat për mënyrën e mbikëqyrjes të zbatimit të udhëzimeve të përgjithshme, veprimtarisë së policisë gjyqësore dhe marrjes së informacionit nga strukturat në Prokurorinë e Përgjithshme në bashkërendim me autoritetin e monitorimit/mbikëqyrjes në prokuroritë përkatëse, si dhe mënyrën e mbikëqyrjes dhe verifikimit të indicieve, informacioneve ose ankesave për problematikat apo shkeljet e konstatuara apo të pretenduara dhe bashkëpunimin me strukturat përkatëse në prokurori dhe me institucionet kushtetuese dhe ligjore.
Gjithashtu, Prokuroria e Përgjithshme është angazhuar dhe ka kontribuar në raportimin periodik të progresit në kuadrin e zbatimit të rekomandimeve të Moneyval dhe planit të veprimit FATF/ICRG.
Zoti Çela vlerësoi si një aspekt thelbësor, përfshirjen e çdo strukture të prokurorisë në proceset konsultuese të akteve ligjore e nënligjore dhe mbështetjen nga projektet e misionet ndërkombëtare, si një aspekt të rëndësishëm në zhvillimin e objektivave dhe prioriteteve institucionale dhe ndërinstitucionale të vendit. Njëkohësisht, vlerësoi angazhimin e Prokurorisë së Përgjithshme në identifikimin e nevojave për ndryshim të kuadrit ligjor, duke kërkuar edhe ushtrimin e nismave konkrete në institucionet përgjegjëse.
Nga ana tjetër, është bashkëpunuar me Projektin EURALIUS V për identifikimin e gjendjes teknike të sistemit CAMS, përgatitjen e dy sistemeve PRESTO dhe veprimtarinë administrative në PP, si dhe Projektin PAMECA V dhe projektin SIDA, në organizimin e trajnimeve dhe përmirësimin e kuadrit nënligjor që rregullon veprimtarinë e prokurorisë në fusha të caktuara.
Lidhur me bashkëpunimin institucional, zoti Çela theksoi se ky bashkëpunim është efektiv me disa institucione ligjzbatuese, ku veçanërisht me SPAK-un ka vijuar në zbatimin e Aktit të Koordinimit Institucional, si në kuadrin e bashkërendimit dhe unifikimin e disa veprimtarive administrative ndërinstitucionale, ashtu dhe procedurale ndërinstitucionale, duke respektuar veçoritë e kompetencat institucionale të parashikuara në ligj, ndërsa me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, në kuadër të procesit disiplinor dhe inspektimit të prokurorive. Vullneti i bashkëpunimit me këto institucione është formalizuar nëpërmjet marrëveshjeve të bashkëpunimit.
Prokurori i Përgjithshëm, periodikisht i ka kërkuar informacione drejtuesve të prokurorive me juridiksion të përgjithshëm lidhur me masat e marra në zbatim të kompetencave ligjore të tyre, mbi udhëzimet e përgjithshme të miratuara, që lehtësojnë zbatimin e udhëzimeve të Prokurorit të Përgjithshëm, dhe masat e marra, për koordimin e veprimtarisë me prokuroritë e tjera, apo për kërkimin e informacionit për ecurinë e procedimeve dhe/ose për nxjerrjen e udhëzimeve jo të detyrueshme për prokurorët lidhur me çështje konkrete, apo nxjerrjen e urdhrave për policinë gjyqësore, ku janë vërejtur probleme në cilësinë e informimit dhe raporteve që përcillen nga prokuroritë e rretheve për Prokurorin e Përgjithshëm. Problematika paraqesin edhe raportet vjetore të punës nga ana e disa drejtuesve të prokurorive.
Zoti Çela theksoi se, rregullimi ligjor aktual vështirëson lidhjen organike efektive mes drejtuesve të prokurorive në prokuroritë e shkallës së parë dhe apeleve me Prokurorinë e Përgjithshme, në kuptim të ushtrimit të detyrave ligjore dhe kushtetuese, ndërkohë që angazhimet institucionale kërkojnë një nivel më të lartë kohezioni institucional.
Gjithashtu, vlerësimi i performancës kërkon një përfshirje më të madhe të Prokurorit të Përgjithshëm në procesin e llogaridhënies dhe evidentimit të përgjegjësive në zbatimin e masave administrative e organizative, për sa kohë ka impakt mbi funksionimin në përditshmërinë e aktivitetit të prokurorive me juridiksion të përgjithshëm. Pikërisht procesi i inspektimi nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm, u vlerësua nga zoti Çela, si një mjet kontrolli në forcim të llogaridhënies së magjistratëve të sistemit, po aq thelbësor sa forcimi i pavarësisë së prokurorëve.
Problematikë për Prokurorin e Përgjithshëm paraqitet parashikimi ligjor për stafin ndihmës ku, magjistrati nëpërmjet komandimit atashohet pranë Prokurorit të Përgjithshëm, që me kushtet reale dhe procesin e vetting-ut është praktikisht e parealizueshme.
Nga ana e Kryetarit të Këshillit dhe anëtarëve iu drejtuan disa pyetje zotit Çela, të cilat kishin të bënin me: mënyrën se si duhet arritur në grupin e prokurorëve të cilët, me veprimtarinë e tyre profesionale të bëhen të besueshëm; politikat për masat e sigurimit personal; gjykimin e drejtpërdrejtë; projektin mbi hartën e re gjyqësore; ndërmarrjen e hapave konkretë për atashimin pranë çdo prokurori të një ndihmësi ligjor dhe një oficeri të policisë gjyqësore; rritjen e kontrollit dhe efiçencës së oficerëve të policisë gjyqësore; identifikimin e instrumentit të përshtatshëm për adresimin e ushtrimit të kompetencës lidhur me përgatitjen e raportimeve nga prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm; raportin midis adresimit të prioriteteve të qeverisë nëpërmjet rekomandimeve përkatëse, etj.
Prokurori i Përgjithshëm dha në vijim, shpjegimet e tij për të gjitha pyetjet e kundërdrejtuara.
Kryetari i Këshillit, zoti Balla, në fjalën përmbyllëse falënderoi zotin Çela për raportimin konkret, duke theksuar se tashmë KLP-ja, Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit janë shtyllat reale të sistemit të Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë. Ai evidentoi edhe një herë se, si dy anëtarë të bordit drejtues së Shkollës së Magjistraturës së bashku me Prokurorin e Përgjithshëm, duhet të adresojnë në bord faktin e plotësimit nga ana e Shkollës me numrin e domosdoshëm të magjistratëve prokurorë që i nevojiten sistemit të prokurorisë, nëpërmjet përmirësimit të rregullores, kurrikulave mësimore dhe/ose propozimeve për ndryshime ligjore konkrete.
Zoti Balla duke i uruar suksese në punë Prokurorit të Përgjithshëm dhe stafit të Prokurorisë së Përgjithshme në përmbushje të detyrave funksionale dhe ligjore, shprehu gatishmërinë e institucionit të cilin drejton, për mbështetjen e kërkesave, vlerësimeve dhe propozimeve të Prokurorisë së Përgjithshme për ndryshime ligjore, të cilat do të sillnin rritjen e mëtejshme të efiçencës së Prokurorisë.