Zëvendëskryetari i klp-së, z. Tartar Bazaj prezanton drejtuesin e ri të prokurorisë së rrethit gjyqësor vlorë

Zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ka prezantuar drejtuesin e ri të Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Vlorë, z. Aurel Zarka.

Zoti Zarka u emëruar drejtues i Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Vlorë gjatë mbledhjes plenare të KLP-së më datë 9 Maj 2022 dhe do të drejtojë këtë prokurori për një mandat 3 vjeçar me të drejtë riemërimi.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Tartar Bazaj, pasi përgëzoi zotin Zarka, theksoi edhe një herë nevojën emergjente për të mbushur vakancat e krijuara në sistemin e drejtësisë dhe atë prokurorisë në veçanti, si pasojë e riformimit të këtij sistemi përmes procesit të Vettingut.

“I tërë sistemi i drejtësisë ka mungesa të theksuara sidomos prokuroritë e rretheve janë shumë të ngarkuara. Në këto kushte do e zbusim pak me magjistratët e rinj që do të emërohen në korrik, presim që ata të amortizojnë problematikën, por gjithsesi nuk është se zgjidhet kjo çështje. Megjithatë, është me rëndësi të kemi parasysh se Komisioni i Kualifikimit nuk ka lidhje me Këshillin e Lartë të Prokurorisë. KPK është institucion më vete i cili merret me verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por gjithsesi përderisa ligjvënësi e ka shtyrë me dy vjet mandatin, do të thotë që ka krijuar problematika, pasi nuk është aspak e lehtë për të verifikuar secilin magjistrat”, u shpreh ndër të tjera zoti Bazaj.

Në lidhje me këtë problematikë, të njëjtin qëndrim ka edhe drejtuesi i Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Vlorë, z. Aurel Zarka, i cili shprehu të gjithë gatishmërinë dhe besimin se përmes një bashkëpunimi të plotë mes institucioneve, shumë shpejt edhe trupa e prokurorëve do të plotësohet.

“Duke pasur parasysh që ka një mungesë të theksuar prokurorësh, jemi më pak se gjysma, i bie që një prokuror bën punën dyfish. Me ndihmën dhe të institucioneve  dhe mirëkuptimin e qytetarëve mendojmë ta përballojmë derisa të plotësohet trupa”, tha Zarka.