Pranë Kuvendit të Shqipërisë, në Komisionin për Çështjet ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, u zhvillua sot, 18 maj 2022, ora 10:00, seanca dëgjimore me Kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, zotin Alfred Balla, për Raportin Vjetor të veprimtarisë së Këshillit gjatë vitit 2021.
Në këtë seancë dëgjimore, zoti Balla u shoqërua nga Zëvendëskryetari i Këshillit, zoti Tartar Bazaj dhe Sekretari i Përgjithshëm, zoti Emis Çërava.
Zoti Balla raportoi në komision mbi veprimtarinë e Komisioneve të Përhershme: Komisionit të Planifikimit Strategjik, Administrimit dhe Buxhetit; Komisionit të Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale; Komisionit të Zhvillimit të Karrierës; Komisionit Disiplinor dhe komisioneve të tjera të ngritura në Këshill, respektivisht Komisionit për mbrojtjen e prokurorëve dhe Komisionit të Posaçëm për shqyrtimin e ankesave kundër arkivimit të hetimit nga ana e ILD-së.
Raportimi konkret përfshinte përbërjen, kompetencat respektive, propozimet vendimmarrëse specifike, si dhe vendimet e miratuara.
Në seancën dëgjimore u raportua mbi vendimet e miratuara të cilat, janë propozuar dhe trajtuar nga Komisioni i Buxhetit në ushtrim të kompetencave të tij.
Më tej u raportua vendimmarrja e Komisionit të Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale lidhur me përgatitjen e raporteve të aftësive profesionale të prokurorëve, si subjekte të rivlerësimit kalimtar, gjithsej 52 prokurorë.
Komisioni gjatë vitit 2021, ka kryer procesin e verifikimit të pasurisë dhe figurës së kandidatëve për t’u pranuar në formimin fillestar të Shkollës së Magjistraturës, duke kërkuar informacion zyrtar nga institucionet kompetente për verifikimin e pasurisë dhe të figurës në lidhje me çdo shkak tjetër përjashtues, ku për disa kandidatë janë zhvilluar edhe seanca dëgjimore për të sqaruar çështje të ndryshme si pjesë e këtij procesi. Në përfundim KLP-ja mori vendim për të konsideruar të përfunduar verifikimin e pasurisë dhe figurës dhe të pranojë sipas përcaktimeve ligjore, 23 kandidatë për vitin akademik 2021-2022.
Komisioni për vitin 2021 nuk ka patur asnjë kandidat të diplomuar në profilin Prokuror nga Shkolla e Magjistraturës.
Komisioni ka kryer verifikimin e pasurisë dhe figurës, për kandidatët për t’u komanduar si Inspektorë pranë ILD-së dhe ka konkluduar me miratimin dhe lejimin e një kandidati magjistrat për procesin e komandimit; gjithashtu, ka miratuar 4 raporte për verifikimin e figurës, pasurisë, si dhe plotësimit të kushteve dhe procedurave të parashikuara nga ligji për kancelarët në detyrë në sistemin e Prokurorisë, si dhe verifikimin e pasurisë dhe figurës për kandidatët për pozicion drejtuesi në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm sipas pozicioneve të lira të shpallura nga Këshilli ku, në përfundim si pasojë dorëheqjesh apo/dhe si pasojë e shkarkimeve nga KPK-ja, Komisioni ka proceduar me nxjerrjen e vendimeve përkatëse.
Lidhur me veprimtarinë e Komisionit të Karrierës, zoti Balla raportoi se, një nga detyrat kryesore është plotësimi i vendeve vakante në sistemin e prokurorisë me qëllim zbutjen e pasojave të diktuara nga procesi i rivlerësimit kalimtar të prokurorëve, arsyeve shëndetësore, mbushjes së moshës së pensionit apo kërkesave për dorëheqje, që kryen nëpërmjet aplikimit të instrumenteve që përcakton ligji si; skema e delegimit, procedura e lëvizjes paralele, transferimi i përkohshëm, si dhe procedurës së ngritjes në detyrë.
Një vëmendje e veçantë gjatë raportimit iu kushtua procesit të plotësimit të vakancave në organikën e Prokurorisë së Posaçme, ku pas vendimmarrjes së Këshillit, struktura e kësaj Prokurorie u plotësua edhe me 4 prokurorë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të prokurorëve në këtë strukturë në 17 nga 20 që janë në organikën e saj.
U referua se, gati 60% të akteve të miratuara nga Këshilli, akte administrative me karakter individual, kolektiv ose normativ, ishin propozuar nga ky komision. Gjithashtu, Komisioni ka qenë i angazuar në hartimin e Rregulloreve të ndryshme, si: për organizimin dhe funksionimin e brendshëm të KLP-së; standardet e Etikës dhe rregullat e sjelljes së prokurorit; rishikimi i Rregullores së Lëvizjes Paralele, si dhe asaj të Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale të Prokurorëve.
Lidhur me veprimtarinë e Komisionit Disiplinor, Kryetari i Këshillit referoi se, ky komision ka trajtuar një numër më të lartë të kërkesave për fillim të procedimit disiplinor ndaj prokurorëve, disa prej të cilave janë shoqëruar me volum të konsiderueshëm të akteve që përbëjnë dosjen hetimore të përcjellë nga ILD-ja. Konkretisht, Komisioni gjatë vitit 2021, ka trajtuar 5 çështje, ku ka përfunduar 3 procedura disiplinore, (dy shkarkime nga detyra dhe një masë disiplinore vërejtje) si dhe ka në proces të trajtimit 2 procedura të adresuara nga ILD-ja për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistratit.
Gjithashtu, Komisioni Disiplinor ka trajtuar 3 kërkesa për pezullimin nga detyra të magjistratëve prokurorë për të cilët ka filluar procedimi penal, të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme, ku Këshilli ka marrë në të treja rastet vendim të pezullimit nga detyra referuar propozimit të Komisionit.
Lidhur me veprimtarinë e Komisionit për Mbrojtjen e Prokurorëve i cili, gjatë vitit 2021 ka funksionuar si organ kolegjial, në përmbushje të garantimit të statusit të magjistratëve ka zhvilluar veprimtarinë e tij, sipas VKM-së Nr.564, datë 31.7.2019, “Për kriteret dhe procedurat për mbrojtjen e veçantë të magjistratit gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij”. Pranë këtij Komisioni janë paraqitur gjithsej 8 kërkesa për mbrojtje nga magjistratë prokuror të cilët, kanë konstatuar se, për shkak të ushtrimit të profesionit gjendeshin në rrethana serioze që rrezikonin jetën e tyre dhe të familjes së tyre. Të gjitha kërkesat e paraqitura janë pranuar dhe vendimet e Komisionit i janë dërguar, në mënyrë të menjëhershme, për zbatim strukturave të Policisë së Shtetit, të cilat kanë marrë masat për të garantuar mbrojtjen fizike të magjistratëve prokuror.
Lidhur me veprimtarinë e Komisionit të Posaçëm për shqyrtimin e ankesave kundër arkivimit të hetimit nga ana e ILD-së, u raportua se, pranë KLP-së kanë ardhur gjithsej 58 ankesa të shtetasve të ndryshëm kundër vendimit të arkivimit të ILD-ja, për afërsisht 66 prokurorë të sistemit të prokurorisë. Komisioni i Arkivimit, ka marrë përgjatë këtij viti 40 vendime.
Lidhur me veprimtarinë administrative dhe financiare të Këshillit u raportua mbi strukturën dhe organigramën e KLP-së, procesin e rekrutimit të nëpunësve civilë, buxhetin e negociuar dhe alokuar për vitin 2021, nevojat buxhetore, si dhe proceset gjyqësore në të cilat është palë e paditur institucioni.
Zoti Balla raportoi në Komisionin përgjegjës në Kuvend edhe mbi marrëdhëniet institucionale të Këshillit me Shkollën e Magjistraturës në kuadër të emërimit dhe caktimit në detyrë të prokurorëve të rinj, verifikimit të studentëve të pranuar për të vijuar Programin e Formimit Fillestar për vitin akademik 2020-2021, miratimit të kalendarëve të trajnimeve vazhdues të prokurorëve etj.
KLP-ja ka përfunduar verifikimin e pasurisë dhe figurës së 25 kandidatëve për t’u pranuar në programin e formimit fillestar të Shkollës së Magjistraturës në vitin akademik 2021-2022, ku për 23 prej tyre, Këshilli vendosi lejimin për t’u pranuar në Programin e Formimit Fillestar të Shkollës. Gjithashtu, KLP-ja ka miratuar me vendim kalendarin e propozuar nga Shkolla e Magjistraturës, për aktivitetet trajnuese, për periudhën Prill-Korrik 2021, ku janë angazhuar prokurorët me eksperiencën përkatëse për llojin dhe specifikat e secilit trajnim.
Lidhur me marrëdhëniet institucionale me Ministrinë e Drejtësisë dhe me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, KLP-ja ka dhënë dy herë mendim, (në funksion të përmirësimit dhe funksionalitetit në praktikë të saj,) në kuadër të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë, Planin e saj të Veprimit dhe Pasaportën e Indikatorëve, për periudhën 2021-2025.
KLP-ja ka raportuar në mënyrë të rregullt çdo muaj, për Përmbledhjen Ekzekutive të Reformës në Drejtësi, si dhe ka kryer raportime narrative dhe tabelore për periudhat Janar-Mars dhe Prill- Qershor 2021.
KLP-ja ka dhënë kontributin për hartimin dhe dërgimin e kontributit të katërt të Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, në cilësinë e përfaqësuesit si pjesë të Kapitullit 23, “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”; ka raportuar në mënyrë të detajuar për veprimtarinë e këshillit, si dhe ka dhënë informacion shtesë për pyetjet e dërguara nga ana e Komisionit Evropian, Nënkomiteti i Stabilizim Asociimit, për Kapitullin 23, për periudhat: Prill-Qershor, Korrik-Shtator dhe Tetor-Dhjetor 2021.
Lidhur me marrëdhëniet institucionale me Prokurorinë e Përgjithshme, u raportua se, Prokurori i Përgjithshëm, ka thirrur 2 herë Mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve ku, prokurorët e të gjitha zyrave të prokurorive patën të drejtën për të votuar për 5 anëtarët e rinj prokurorë të KLP-së, si dhe ka raportuar pranë Këshillit mbi veprimtarinë e sistemit të prokurorisë gjatë vitit 2020.
Lidhur me marrëdhëniet me institucionet e rivlerësimit, Kryetari i Këshillit raportoi se, KLP-ja si organ i ngarkuar për vlerësimin e punës të prokurorëve duke përfshirë edhe ndihmën në rivlerësimin kalimtar nëpërmjet Komisionit të Vlerësimit, ka përgatititur, raportet e aftësive profesionale të prokurorëve; ka marrë pjesë në hedhjen e shortit për përzgjedhjen në mënyrë rastësore të pesë dosjeve hetimore dhe tërheqjen e akteve që lidhen me këto dosje për prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Apelit; ka miratuar dhe dorëzuar 52 raporte për vlerësimin e aftësive profesionale të prokurorëve, së bashku me materialet që kanë shërbyer për përgatitjen e tyre, si dhe është shprehur me vendim për mbarimin e statusit të magjistratit për 7 prokuror.
KLP-ja ka përcjellë pranë organeve të rivlerësimit, KPK-së ose KPA-së, në varësi të fazës në të cilën ndodhej prokurori, vendimin për deklarimin e mbarimit të statusit, në mënyrë që KPK-ja ose KPA-ja të merrte vendim për pushimin e procesit të rivlerësimit.
Lidhur me marrëdhënietme Kuvendin, veçohet paraqitja e raportit të veprimtarisë së KLP-së pas prezantimit dhe diskutimit të tij më parë nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Në vijim të raportimit Zoti Balla, vlerësoi transparencën institucionale të Këshillit të Lartë të Prokurorisë ndaj mediave dhe publikut, si një nga aspektet më të rëndësishme në përmbushjen e detyrimit ligjor për transparencën institucionale, komunikimit publik mes një institucioni dhe publikut, përfshirë këtu, median, institucionet e tjera publike, organizatat, përfaqësitë ndërkombëtare, etj., e cila, është kthyer në një domosdoshmëri në mbulimin e veprimtarisë së një institucioni.
KLP-ja ka pasqyruar me transparencë dhe përgjegjësi të plotë, të gjithë veprimtarinë e saj me qëllim aksesin e lirë në informacionin sa i takon veprimtarisë së institucionit. Kështu, të gjitha mbledhjet plenare apo edhe seancat dëgjimore kanë qenë të aksesueshme online. Në respektim edhe të bashkëpunimit me institucionet dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, platforma e komunikimit institucional online ka qenë e aksesueshme edhe për të ftuarit përfaqësues nga institucione si MD-ja, Prokurori i Përgjithshëm apo edhe programet e monitorimit OPDAT dhe EURALIUS.
Me të njëjtën transparencë janë pasqyruar të gjitha takimet, intervistat apo edhe aktivitetet e zhvilluara gjatë vitit 2021, konkretisht: Mbledhja e Përbashkët Vjetore mes KLP-së dhe KLGJ-së, ceremonia e organizuar me rastin e përfundimit të projektit EURALIUS në Shqipëri, ceremonia përkujtimore me rastin e Ditës Kombëtare të Drejtësisë, si dhe trajnimi mbi standardet etike të prokurorëve i zhvilluar nga OPDAT-i dhe KLP-ja etj.
Në këtë kuadër, në zbatim të legjislacionit në fuqi dhe direktivave të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ka garantuar informacion të plotë për publikun, pa pagesë dhe të aksesueshëm nga të gjithë, duke përditësuar Programin e Transparencës për të gjitha rubrikat e tij dhe duke e publikuar në faqen zyrtare web.
Gjithashtu, zoti Balla informoi mbi zbatimin e rezolutës së Kuvendit “Për raportin vjetor të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2020”, ku KLP-ja ka ndërmarrë hapat ligjorë dhe proceduriale për emërimin e 12 drejtuesve të zyrave të prokurorive në kuadër të procedurës së ngritjes në detyrë. Deri në vitin 2020, vakancat për këto pozicione janë plotësuar nëpërmjet procedurës së caktimit të përkohshëm. Gjithashtu, përgjatë vitit 2021, janë transferuar nëpërmjet lëvizjes paralele 24 prokurorë.
Mbi bashkëpunimin me Prokurorin e Përgjithshëm me qëllim ndjekjen e zbatimit të udhëzimeve me karakter të përgjithshëm nga prokurorët e të gjitha niveleve, përmes raportimit lidhur me veprimtarinë e sistemit të prokurorisë gjatë vitit 2020, përveçse është ezauruar një detyrim ligjor, janë trajtuar para KLP-së arritjet e zyrave të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, si dhe problematikat që janë hasur.
Mbi rëndësinë e komunikimit me publikun për veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, institucioni ka publikuar regjistrimin audio të mbledhjeve plenare brenda 24 orëve në faqen zyrtare web; njoftimet lidhur me çdo aktivitet të saj, vendimet e miratuara, takimet zyrtare, deklaratat publike, vakancat në sistemin e prokurorisë, intervistat në media, etj., si dhe i është përgjigjur çdo kërkese për informacion mbi veprimtarinë e saj të paraqitur nga individë, organizata të shoqërisë civile apo media investigative, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtën e informimit.
Mbi forcimin e bashkëpunimit me organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe institucionet e tjera shtetërore, në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi, për të gjitha proceset që ndikojnë në zbatimin e duhur dhe efektiv të reformës në drejtësi, KLP-ja i ka kushtuar rëndësi të veçantë bashkëpunimit efektiv me organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, si dhe me institucionet e tjera shtetërore me qëllim zbatimin e duhur dhe me cilësi të reformës në drejtësi konkretisht: ILD-në, Shkollën e Magjistraturës, MD-në, por edhe me organet e rivlerësimit kalimtar. Gjithashtu, ka marrë pjesë në takimin për unifikimin e procedurave disiplinore, në prani të anëtarëve të komisioneve disiplinore të KLP-së dhe KLGJ-së, si dhe përfaqësuesve të ILD-së dhe ekspertëve të Misionit EURALIUS dhe Zyrës Tejoqeanike të Zhvillimit, Asistencës dhe Trajnimit Prokurorial (OPDAT).
Mbi informimin e vazhdueshëm të Kuvendit të Shqipërisë për problematikat e hasura në sistemin e prokurorisë, duke rekomanduar edhe zgjidhjet përkatëse, KLP-jaka informuar mbi masat e nevojshme financiare dhe administrative lidhur me rishikimin e Projektbuxhetit të vitit 2022 dhe parashikimin e fondeve shtesë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë për respektimin e detyrimit kushtetues të kryerjes së procesit të rivlerësimit kalimtar.
Mbi vijimin e procedurave për përzgjedhjen e prokurorëve të tjerë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për të bërë të mundur plotësimin e vendeve të lira në këtë institucion, KLP-ja ka emëruar 3 prokurorë për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi.
Mbi bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, për miratimin e rregullave të përbashkëta për bashkimin e procedimeve në rastin kur një gjyqtar dhe një prokuror janë përfshirë në të njëjtën shkelje, KLP-ja nuk ka zhvillime për periudhën e raportimit. Miratimi i rregullores së përbashkët për bashkimin e procedimeve disiplinore mes KLP-së dhe KLGJ-së, është prioritet për muajt e parë të vitit 2022.
Mbi forcimin e marrëdhënieve institucionale me Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, me qëllim trajtimin në afate të arsyeshme të procedimeve disiplinore për prokurorët, KLP-ja ka arritur të dalë me vendimmarrje përfundimtare për 3 prej 5 kërkesave të ILD-së, ndërsa për 2 të tjerat, pritet që vendimmarrja të arrihet në muajt e parë të vitit 2022.
Mbi përfundimin dhe miratimin e raporteve për verifikimin e pasurisë dhe figurës së kancelarëve në detyrë në prokuroritë pranë gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm KLP-ja vendosi përfundimin e procedurës së verifikimit të figurës, pasurisë dhe plotësimit të kushteve të parashikuara nga ligji për shërbimin civil për katër kancelarët në detyrë dhe miratimin e raportit me rezultatet përkatëse për secilin kancelar.
Me të njëjtat vendime, KLP-ja konfirmoi marrëdhënien civile ekzistuese për katër kancelarët në detyrë.
Mbi hartimin, miratimin dhe zbatimin e rregullave më të detajuara për formimin fillestar dhe atë vazhdues për nëpunësit e tjerë civilë të prokurorisë, KLP-ja ka zhvilluarnjë takim me përfaqësues të Euralius lidhur me krijimin e Njësisë së Trajnimit në funksion të trajnimit të nëpunësve civilë të prokurorive ku, u diskutua mundësia e përshtatjes së kurrikulave tashmë të përfunduara për kancelarët, si dhe për trajnime më të shkurtra për nëpunësit e tjerë. Sa i përket hartimit të një rregulloreje të posaçme për rregullat për formimin fillestar dhe vazhdues, nuk ka zhvillime për periudhën e raportimit.
Mbi hartimindhe miratimin në një afat sa më të shkurtër të rregullores për vlerësimin e punës së prokurorëve. KLP-ja konkludonte se, pritej të miratohet në 3 muajt e parë të vitit 2022, dhe aktualisht është miratuar e për këtë u njoftua Komisioni.
Mbi hartimin, miratimin dhe zbatimin e rregullores për pensionin e parakohshëm të prokurorëve,nuk ka zhvillime për periudhën e raportimit. Kjo rregullore është në proces në kohën e këtij raportimi.
Mbi hartimin, miratimin dhe zbatimin e Rregullave (Kodit) për Etikën e prokurorëve, KLP-ja në bashkëpunim me Zyrën Tejoqeanike të Zhvillimit, Asistencës dhe Trajnimit Prokurorial (OPDAT), ka organizuar një trajnim mbi Kodin e Etikës së Prokurorit dhe standardet më të mira ndërkombëtare, që udhëzojnë sjelljen etike të tij, gjatë dhe jashtë ushtrimit të funksionit, dhe u është dërguar për konsultim edhe zyrave të prokurorisë. Ky Kod pritej të miratohet në fillim të vitit 2022, e aktualisht është miratuar e për këtë u njoftua Komisioni.
Mbi përgatitjen dhe miratimin e programit të përvitshëm për vlerësimin e veprimtarisë etike dhe profesionale të prokurorëve KLP-ja, e ka vendosur në objektivat e vitit 2022.
Mbi angazhimin në dhënien e deklaratave publike në mbrojtje të prokurorëve të veçantë, kur gjykohet se e drejta e tyre njerëzore rrezikohet të shkelet për shkak të kryerjes së detyrës ose kur kryerja e funksioneve të tyre ligjore po rrezikohet ose mund të rrezikohet si rezultat i veprimeve ose qëndrimeve të çdo subjekti publik ose privat, kryetari i KLP-së theksoi se, institucioni ka mbajtur një qëndrim publik për aktin kriminal që ndodhi me datë 11.03.2021, kundër prokurorit Arjan Muça, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Gjirokastër, i komanduar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pasi, makina që përdorej nga prokurori ra pre e një shpërthimi me tritol në Tiranë.
Mbi vijimin e dhënies së opinioneve dhe vlerësimeve për përmirësimet ligjore KLP-ja, është angazhuar dhe ka kontribuar me propozime konkrete lidhur me ndryshimet në legjislacionin që ka ndikuar në punën e prokurorisë dhe çdo çështje tjetër që është nën përgjegjësinë e Këshillit, konkretisht: projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr.110/2018, “Për noterinë””; projektvendimin “Për miratimin në parim të marrëveshjes ndërmjet Mbretërisë së Spanjës dhe Republikës së Shqipërisë si shtesë e Konventës Evropiane për Ekstradimin, të vitit 1975”; manualin për Hartimin e Legjislacionit; projektvendimin “Për propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut mbi transferimin e personave të dënuar””; ndryshimet kushtetuese, që lidhen me zgjatjen e mandateve të organeve të rivlerësimit kalimtar, si dhe projektvendimin “Për miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2021-2025 dhe Planit të saj të Veprimit”.
Në përfundim të raportimit për veprimtarinë e institucionit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, zoti Balla, bëri një përmbledhje të prioriteteve të Këshillit për vitin 2022, të cilat i referohen kryesisht hartimit dhe miratimit të disa akteve nënligjore, sikurse: Rregullorja “Për komandimin e magjistratit në një institucion tjetër brenda sistemit të drejtësisë”; Rregullorja “Mbi kriteret dhe procedurat e ngritjes në detyrë të prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokuroritë pranë Gjykatave të Apelit të juridiksionit të përgjithshëm”; Rregullorja për vlerësimin e punës së prokurorëve; Rregullorja “Për mënyrën e caktimit të kompensimit financiar që përfitojnë prokurorët në skemën e delegimit, që delegohen, transferohen përkohësisht ose caktohen përkohësisht”; Rregullorja “Për funksionimin e administratës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë”; Rregullorja “Për parandalimin e konfliktit të interesave“.
Synimi kryesor për momentin, duke patur parasysh edhe vakancat e krijuara për shkak të procesit të rivlerësimit kalimtar dhe dorëheqjeve të prokurorëve, është rritja e numrit të kandidatëve për prokurorë, duke ruajtur standardet dhe cilësinë e prurjeve në Shkollën e Magjistraturës, me qëllim plotësimin e këtyre vakancave dhe funksionimin e duhur të sistemit të prokurorisë në tërësi.
Gjithashtu, synohetmbajtja e takimeve periodike mes komisioneve të përhershme të KLP-së dhe KLGJ-së, me qëllim unifikimin e procedurave/praktikave sipas fushës së tyre të veprimit dhe miratimin e rregullores së përbashkët për bashkimin e procedimeve disiplinore.
Në përfundim të raportimit, nga ana e Kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut iu drejtuan disa pyetje përfaqësuesve të institucionit të KLP-së, mbi çështje konkrete të mbarëvajtjes dhe vendimmarrjes së Këshillit; u kërkuan komente mbi dispozitat e legjislacionit objekt i fushës së veprimtarisë së institucionit dhe organeve të tjera ku kjo fushë e veprimtarisë ndërthuret, si dhe mbi kushtet dhe vlerësimin institucional të gjendjes aktuale të magjistratëve prokurorë, në kuadër të plotësimit të Prokurorisë së Posaçme me numrin e plotë të prokurorëve, etj.
Një detajim i hollësishëm u kërkua mbi marrëdhënien specifike institucionale me Prokurorin e Përgjithshëm lidhur me, kompetencat ligjore dhe aktet normuese me karakter të përgjithshëm, vlerësimin e vendimmarrjes të gjendjes aktuale në të cilën ndodhet Prokuroria gjithashtu edhe, lidhur me faktin nëse KLP-ja përgjatë punës së saj ka evidentuar nevojën për ndryshime specifike në kuadrin ligjor në fuqi mbi institutin e kompetencës apo rregullime konkrete ligjore të tjera.
Zoti Balla dhe zoti Bazaj, raportuan në mënyrë të përmbledhur për aq sa lejon ligji për vendimmarrjen në mbrojtje të magjistratëve prokurorë për sa kohë, procedura e ndjekur përfshin informacion të klasifikuar, si për emrat konkretë ashtu edhe për procesin vendimmarrës.
Në përfundim, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë informoi Kuvendin nëpërmjet Komisionit se, institucioni po vlerëson gamën e kompetencave, të cilat reflektohen në vendimmarrje konkrete, në raport me kapacitetet aktuale të punonjësve së strukturës të KLP-së, me qëllim përballimin me efektivitet dhe efiçencë të ngarkesës së punës, në kuadër të objektivave dhe synimeve për vitet në vazhdim.