Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi ditën e enjte, më 19 maj 2022, mbledhjen plenare të radhës, në prezencë të 9 (nëntë) anëtarëve të Këshillit (në mungesë të zonjës Mirela Bogdani), si dhe në prani të përfaqësuesit të misionit OPDAT në Shqipëri.
Nën drejtimin e kreut të Këshillit Lartë të Prokurorisë, zotit Alfred Balla, mbledhja ka nisur me miratimin e procesverbalit të seancës plenare të datës 28.04.2022.
Më pas me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, vendosi pranimin e kërkesës dhe miratimin e qëndrimit në detyrë për zotin Pelivan Malaj, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Vlorë, deri në mbushjen e moshës 70 vjeç. Gjithashtu, bazuar në relacionin shpjegues të përgatitur po nga ky Komision, Këshilli vendosi të njoftojë fillimin e procedurave për plotësimin e një vakance të përkohshme, nëpërmjet procedurës së transferimit të përkohshëm me pëlqim, për një periudhë 6 (gjashtë) mujore, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër.
Këshilli, bazuar në relacionin e paraqitur për shqyrtim nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, vendosi shfuqizimin e vendimit të drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë sipas ankimit të adresuar nga prokurori Ilir Hoxha.
Në vijim, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, miratoi dy raporte për “Analizimin e aftësive profesionale të subjekteve të rivlerësimit”, specifikisht për subjektet e rivlerësimit, prokurorët Elsa Kareçi dhe Skënder Mestani.
Bazuar në relacionet e përgatitura nga Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, vendosi të vlerësojë të përfunduar verifikimin e pasurisë dhe figurës së kandidatëve për t’u emëruar prokurorë, si më poshtë:
- Ajkuna Anxhaku
- Alban Syri
- Albulena Kuliçi
- Alisa Spahja
- Armida Kaçi
- Besmira Vishe
- Blerina Musabelliu
- Denis Hyka
- Denisa Plaku
- Eni Çulli
- Entela Hasmujaj
- Esmeranda Basho
- Griselda Haxhiaj
- Iva Harka
- Ledjana Shkurti
- Leondard Suçi
- Matilda Fetahu
- Matilda Peza
- Ndriçim Halilaj
- Redona Ndoni
- Urim Kalia
- Vasjana Postol
Këshilli shtyu për diskutim çështjet e tjera për seancën e radhës.