Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi ditën e enjte, më 26 maj 2022, ora 10:00, mbledhjen plenare të radhës, në platformën online Zoom-Metting, ku morën pjesë 9 anëtarë të Këshillit (në mungesë të zonjës Esmeralda Keshi).
Mbledhja e cila u mbajt nën drejtimin e kreut të KLP-së, zotit Alfred Balla kishte në rend dite vetëm një pikë:
Diskutimin/miratimin e projektaktit për lejimin/ndalimin e kandidatëve për vijimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit Nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, KLP-ja ka publikuar në faqen zyrtare të institucionit, “Thirrje për shprehje interesi”, për plotësimin e pozicionit vakant për Drejtues në Prokurorinë Tiranë, duke ftuar të gjithë prokurorët që plotësojnë kriteret ligjore për tu ngritur në detyrë, të paraqesin krahas kërkesës për kandidim edhe dokumentacionin e nevojshëm ligjor. Afati përfundimtar i aplikimeve ishte ora 24 e datës 18 maj 2022.
Në përfundim të afatit ligjor të pranimit të aplikimeve dhe, në zbatim të pikave 2-7 të nenit 32, të ligjit të sipërpërmendur, Këshilli mblidhet me qëllim shqyrtimin e kandidaturave të pozicionit vakant.
Pranë KLP-së kanë shprehur interesin dy prokurorë për pozicionin vakant të shpallur, përkatësisht zoti Kreshnik Ajazi, Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, si dhe zoti Arens Çela, Drejtues i vendosur nga KLP-ja me Caktim të Përkohshëm 3 mujor, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Këshilli, bazuar në relacionin e paraqitur për shqyrtim nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, vendosi ndalimin e kandidimit të kandidatit Kreshnik Ajazi për ngritjen në detyrë në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe, kualifikimin e kandidatit që plotëson kushtet për kandidim për pozicionin e shpallur, zotin Arens Çela.
Ky ndalim erdhi si pasojë e faktit që kandidati Ajazi është i zgjedhur me një mandat 3 (tre) vjeçar si Drejtues në prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe nuk mund të ndërpresë mandatin e filluar, si dhe për faktin që procedura e shpallur është ngritje në detyrë nga prokuror i thjeshtë në drejtues zyre dhe jo procedurë e lëvizjes paralele.
Të dyja vendimet e Këshillit u morën me 9 (nëntë) vota unanime.