Kryetari i këshillit të lartë të prokurorisë merr pjesë në analizën vjetore të punës së prokurorisë pranë gjykatës së shkallës së parë dhe apelit durrës, për vitin 2021

Kryetari i Këshillit, zoti Alfred Balla së bashku me anëtarin zotin Ludovik Dodaj, kanë marrë pjesë në takimin e zhvilluar, sot, 27 maj 2022, mbi analizën vjetore të punës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit Durrës.

Në këtë takim morën pjesë prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore të strukturave raportuese, përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme, zoti Olsian Çela, Prokuror i Përgjithshëm i shoqëruar nga zoti Kostaq Beluri, Drejtuesi i Parë Neritan Nallbati, Drejtor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, si dhe Zv/Kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, zoti Paulin Çera.

Drejtuesi i Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, zonja Anita Jella dhe Drejtuesi i Caktuar Përkohësisht i Prokurorisë së Apelit Durrës, zoti Moisi Duda raportuan lidhur me aspektet e veprimtarisë së strukturave të cilat drejtojnë, mbi organizimin e brendshëm, gjendjen, progresin, problematikat dhe mbështetjen që synohet.

Kryetari i KLP-së, zoti Balla në fjalën përshëndetëse, gjatë analizës vjetore, përgëzoi ekipet e të dyja prokurorive raportuese, për evadimin e një volumi të madh pune hetimore përgjatë vitit 2021.

Zoti Balla theksoi se, tashmë pjesa më e vështirë e situatës së shkaktuar nga vakancat në sistem po kalon dhe, gjatë muajit korrik 2022, do të emërohen 22 magjistratë (prokurorë) të cilët, do të lehtësojnë volumin e punës në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.

Zoti Balla, kërkoi një bashkëpunim më të madh e konkret ndërmjet Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës dhe Prokurorisë së Apelit Durrës, si dhe të këtyre dy prokurorive me agjencitë ligjzbatuese në vend dhe me gjykatën e rrethit. Gjithashtu, iu kërkua prokurorëve në rast se, vlerësojnë ndryshime dhe/apo përmirësime të mundshme në legjislacionin në fuqi, të përcjellin propozime ligjore dhe/apo proceduriale konkrete pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.