Njoftim për media seanca plenare datë 06.06.2022

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, zhvilloi ditën e hënë, më 6 qershor 2022, seancën plenare të radhës, në prani të 9 (nëntë) anëtarëve dhe të ftuarëve përfaqësues nga programi OPDAT.

Në mungesë të kreut të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, zotit Alfred Balla, për shkak të pjesëmarrjes së tij në raportimin vjetor të Prokurorisë së Shkallës së Parë dhe Apelit Vlorë, mbledhja është zhvilluar nën drejtimin e Zëvendëskryetarit, zotit Tartar Bazaj.

Në respektim të rendit të ditë, janë miratuar unanimisht, projektakti për miratimin e programit që përcakton listën e prokurorëve, për të cilët do të kryhet vlerësimi etik dhe profesional individual përgjatë vitit 2022, si dhe ai për miratimin e planifikimit tremujor të vlerësimit etik dhe profesional individual të prokurorëve, përgjatë vitit 2022.

Ndërkohë, hedhja e shortit për caktimin e relatorit dhe këshilltarit ligjor përgjegjës për procedurën e vlerësimit të prokurorëve, u vendos të zhvillohet në mbledhjen plenare të radhës së Këshillit.

Në përfundim, sa i takon diskutimeve të tjera jashtë rendit të ditës, Këshilli vendosi të vijojë me procedurën për ushtrimin e Rekursit në Gjykatën e Lartë, ndaj Vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit, Nr.36, datë 24.05.2022.