NJOFTIM PËR MEDIA Seanca plenare datë 15.06.2022

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, zhvilloi ditën e mërkurë më 15.06.2022, seancën plenare të radhës, në prani të të gjithë anëtarëve të Këshillit, si dhe të ftuarëve përfaqësues nga programi OPDAT.

Në zbatim të rendit të ditës të parashikuar në axhendë, mbledhja ka nisur me miratimin e procesverbalit të seancës plenare të datës 02.06.2022.

Më pas, Këshilli me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës miratoi unanimisht projektvendimet, për caktim të përkohshëm në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë konkretisht të:

  1. Zotit Neritan Hoxha, në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec; 
  1. Zotit Dritan Gripshi, në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat;
  2. Zotit Elion Mustafaj, në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje;
  3. Zotit Rifat Kojku, në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër;
  4. Zotit Kleanth Zeka, në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Vlorë.

Gjithashtu, Këshilli me propozim të Komisionit të sipërpërmendur, miratoi unanimisht projektvendimet për caktimin e përkohshëm të zonjës Elida Hoxhaj prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, si prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Vlorë, si dhe të zonjës Pranvera Gruda prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, si prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër.

Në vijim, pasi u njoh me relacionin e përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale, Këshilli miratoi unanimisht raportin për “Analizimin e aftësisë profesionale të subjektit të rivlerësimit, të zotit Ols Dado”.

Me propozim të Komisionit të Planifikimit Strategjik, Administrimit dhe Buxhetit, Këshilli vendosi miratimin me unanimitet të veprimtarisë jashtë funksionit, të prokurores pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, zonjës Doloreza Musabelliu.

Me përfundimin e çështjeve të rendit të ditës, u kalua në diskutime të tjera, ku Kryetari njoftoi se, diskutimet mbi miratimin e hartës së re gjyqësore do të zhvillohen në një mbledhje të posaçme, pas administrimit të materialit në formë zyrtare nga institucionet përkatëse konkretisht, Ministria e Drejtësisë dhe/ose Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Gjithashtu, informoi anëtarët mbi përgatitjen e rekursit të veçantë nga Avokatura e Shtetit, pas autorizimit të saj nga KLP-ja, kundër vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit, për mospranim rekursi kundër vendimit Nr.36, datë 24.05.2022, të kësaj gjykate, me paditës një prokuror të sistemit dhe të paditur KLP-në.

Në Këshill u ngritën për diskutim nga anëtari, zoti Hoda, shqyrtimi dhe miratimi i projektrregullores për ngritjen në detyrë të prokurorëve, si dhe ndryshimet e nevojshme në rregulloren për lëvizjen paralele për shkak të ndryshimeve të fundit ligjore, akte të cilat u dakordësuan për t’u trajtuar në një kohë sa më të shpejtë edhe me misionin OPDAT nëpërmjet përfaqësuesit në sallë.

Në fund, Kryetari kujtoi se, mandati i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundon në muajin dhjetor të vitit 2022, dhe ngriti pyetjen nëse Këshilli rezervon kohën e mjaftueshme për fillimin e procedurave ligjore lidhur me emërimin e Drejtuesit të ri, duke patur parasysh periudhën e pushimeve dhe procedurën vetting të cilës, i nënshtrohen kandidatët që shprehin interesin.