Këshilli i Lartë i Prokurorisë nën drejtimin e Kryetarit zotit Alfred Balla, zhvilloi ditën e hënë, më 20 qershor 2022, një takim të përbashkët me Këshillin e Lartë Gjyqësor në kuadër të shkëmbimit të eksperiencave lidhur me procesin e vlerësimit profesional dhe të etikës të magjistratëve, për sa kohë Këshilli ka miratuar rregulloren për vlerësimin profesional dhe etikën për prokurorët e juridiksionit të përgjithshëm, si dhe ka shortuar emrat e 10 (dhjetë) prej tyre që do t’i nënshtrohen këtij vlerësimi, përgjatë 6-mujorit të dytë të vitit 2022.
Në këtë takim morën pjesë anëtarët e Komisioneve përgjegjëse respektive, si dhe këshilltarët e atashuar pranë këtyre Komisioneve. Pjesë e diskutimeve të takimit ishin shkëmbimi i eksperiencave institucionale në lidhje me procesin, duke nënvijëzuar të përbashkëtat, por edhe veçantitë në raport me magjistratët prokuror dhe gjyqtar.
Analiza e vlerësimit u orientua drejt mënyrave të përcaktimit të metodave praktike të nevojshme dhe të sakta me qëllim rritjen e efektivitetit të këtij procesi.
Në përfundim, u dakordësua për vijimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet organeve qeverisëse të sistemit të drejtësisë me qëllim unifikimin e praktikës për vlerësimin e magjistratëve.