Kryetari i këshillit të lartë të prokurorisë merr pjesë në analizën vjetore të punës së prokurorisë pranë gjykatës së shkallës së parë dhe apelit tiranë, për vitin 2021

Kryetari i Këshillit, zoti Alfred Balla së bashku me anëtaren zonjën Eloida Goxhi, kanë marrë pjesë në datë 21 qershor 2022, në analizën vjetore të punës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit Tiranë.

Në këtë takim morën pjesë prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore të strukturave raportuese, zoti Olsian Çela, Prokuror i Përgjithshëm, si dhe zoti Artur Metani, Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

Drejtuesi i Përkohshëm i Prokurorisë Tiranë, zoti Arens Çela dhe Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit Tiranë, zoti Genti Xholi, raportuan lidhur me aspektet e veprimtarisë së strukturave të cilat drejtojnë për vitin 2021.

Kryetari i KLP-së, zoti Balla në fjalën përshëndetëse, gjatë analizës vjetore, përgëzoi ekipet e të dyja prokurorive raportuese, për evadimin e një volumi të madh pune hetimore përgjatë vitit 2021, e cila është kryer edhe nën trysninë e medias, politikës direkte dhe indirekte, kriminalitetit, si dhe të faktit se gjysma e popullsisë së vendit jeton në Tiranë.

Zyrat e prokurorive raportuese janë në mungesa të prokurorëve për shkak të procesit vetting dhe komandimeve në institucionet e reja të drejtësisë, por emërimi i 22 magjistratëve të rinj, si dhe vlerësimi profesional dhe etik i prokurorëve, proces i iniciuar së fundmi nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, do të mundësojnë realizimin e lëvizjeve paralele për plotësimin e vakancave, si dhe zhvillimin e karrierës si drejtues, prokurorë në prokurorinë te apelit, apo në Prokurorinë e Përgjithshme.

Në përfundim, zoti Balla, informoi mbi disa diskutime, për ndryshime dhe /apo përmirësime të mundshme të legjislacionit në fuqi, me Ministrinë e Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm, si dhe misionin OPDAT, me të cilët është dakordësuar në parim edhe mundësia për të realizuar pasjen pranë secilit prokuror të një ndihmësi/këshilltari sikundër edhe të një oficeri të policisë gjyqësore.