NJOFTIM PËR MEDIA Seanca plenare datë 27.06.2022

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi ditën e hënë, më 27.06.2022, mbledhjen plenare të radhës, në prani të 9 (nëntë) anëtarëve të Këshillit, në mungesë të zotit Ludovik Dodaj, si dhe të ftuarve të medias dhe përfaqësues nga programi OPDAT.

Mbledhja nisi sipas rendit të ditës, me diskutimet e anëtarëve rreth riorganizimit të rretheve gjyqësore miratuar me vendim nga KLGJ-ja, i cili i është përcjellë Këshillit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.

Kryetari bëri një paraqitje të rretheve gjyqësore që parashikohen të bashkohen, shkresës zyrtare të KLP-së drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm lidhur me ndikimin që ky riorganizim do të ketë në zyrat e prokurorive, si dhe citoi përgjigjen e këtij të fundit drejtuar KLP-së.

Kryetari parashtroi trajtimin e çështjes nga ana proceduriale dhe u dakordësua me anëtarët që opinionet e tyre mbi çështjen objekt diskutimi do të përcillen në formën e shkresës administrative.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë në fund, u shpreh pro projektit të propozuar nga KLGj-MD për riorganizimin e rretheve gjyqësore për arsye se, për mënyrën se si kompozohet, nuk bie ndesh me interesat e sistemit të prokurorisë, gjithashtu edhe për faktin se në konsultimet e kryera me grupet e interesit dhe misionet ndërkombëtare gjatë hartimit të aktit, kanë marrë pjesë përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila ka reflektuar në dakordësinë e plotë nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm. Mendimi përfundimtar i shtjelluar i KLP-së do t’i përcillet zyrtarisht Ministrisë së Drejtësisë ditën e nesërme.

Zoti Balla informoi se, pas marrjes së mendimeve të institucioneve të parashikuara në ligj, projekti parashikohet të kalojë për miratim pranë Këshillit të Ministrave dhe, nëse akti nuk ka ndryshime prokuroritë e apeleve që bashkohen në Tiranë do t’i nënshtrohen procesit të bashkimit pas 6 muajve, ndërsa prokuroritë pranë rretheve gjyqësore të shkallës së parë do t’i nënshtrohen pas 9 muajve.

Periudha e sipërcituar do të shërbejë për marrjen e masave organizative infrastrukturore dhe logjistike nga Prokurori i Përgjithshëm, fazë paraprake kjo që pason me kryerjen e transferimeve përkatëse të prokurorëve nga ana e KLP-së.

Në vijim, Këshilli në bazë të relacionit shpjegues të përgatitur nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, miratoi me unanimitet kualifikimin e kandidatëve që plotësojnë kushtet për kandidimin për ngritjen në detyrë në pozicionin e drejtuesit, në prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, ku u vendos kualifikimi i kandidatëve si më poshtë:

  1. Ervisa Hyka
  2. Genci Mane
  3. Elida Hoxhaj
  4. Çlirim Sino
  5. Elion Mustafaj
  6. Suela Beluli

Këshilli në bazë të relacionit shpjegues të përgatitura nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, miratoi me 8 (tetë) vota pro, në mungesë të zotit Tartar Bazaj, kualifikimin e kandidatëve që plotësojnë kushtet për kandidimin për ngritjen në detyrë në pozicionin e drejtuesit, në prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, ku u vendos kualifikimi i kandidatëve si më poshtë:

  1. Kledian Llaho
  2. Ilir Hoxha

Më tej, Këshilli diskutoi dhe miratoi me unanimitet, projektaktin për mbylljen e procedurës së ngritjes në detyrë për pozicionin e drejtuesit në prokurorinë pranë gjykatave të shkallëve të para Berat, Dibër, Gjirokastër, Kukës, Lushnje, Përmet dhe Pogradec, për shkak të mos kandidimit për këto pozicione të shpallura.

Në vijim, Këshilli miratoi me unanimitet dy projektaktet që kishin të bënin me prokurorin Xhevahir Lita, për të cilin fillimisht u vendos transferimi i përkohshëm me pëlqim në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, ndërsa i dyti për caktimin e përkohshëm në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë kësaj gjykate.

Këshilli gjithashtu, miratoi me unanimitet, projektaktin për praktikën profesionale të kandidatëve për magjistratë të Shkollës së Magjistraturës, profili “Prokuror”, për vitin akademik 2022- 2023, ku caktoi Prokuroritë, konkretisht pranë Gjykatave të Shkallës së Parë Tiranë, Fier dhe Shkodër, të cilat do të shërbejnë për kryerjen e kësaj praktike, si dhe magjistratët prokurorë udhëheqës.

Në vijim të propozimeve të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Këshilli miratoi me vendim unanim projektaktin për caktimin e përkohshëm të zotit Françesk Ganaj, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, të ushtrojë detyrën e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë, për një periudhë 11-ditore.

Gjithashtu, Këshilli, me propozim të Komisionit të Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale miratoi me unanimitet dy raporte për analizimin e aftësive profesionale të subjekteve të rivlerësimit, përkatësisht të zotit Robert Kote dhe zonjës Françeskina Lekani.

Në përfundim, Kryetari rikujtoi edhe njëherë anëtarët e Këshillit të caktuar në grupet e punës për respektimin e afateve të përcaktuara, lidhur me  hartimin e akteve nënligjore kompetencë e Këshillit të cilat janë ne proces.