E nderuar zonja Kryetare
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,
Sot, mbart detyrën për të parashtruar para jush, raportin vjetor të veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2021, një dokument gjithëpërfshirës ky, i punës dhe aktiviteteve institucionale; rezultateve të arritura; bashkëpunimit ndërinstitucional e ndërkombëtar; i transparencës me opinionit publik, median dhe shoqërinë civile, po ashtu edhe i problematikave të ndeshura gjatë zbatimit të legjislacionit në fuqi.
Raportimi vjetor i veprimtarisë së institucionit përveçse një detyrim ligjor, është për ne një mundësi e volitshme për t’i bërë të ditur Kuvendit, institucioneve partnere dhe të gjithë shoqërisë, një përmbledhje të arritjeve, natyrisht dhe sfidave me të cilat Këshilli është përballur.
Ndryshimet kushtetuese dhe ligjore të vitit 2016, ishin hapi i parë i implementimit të reformës në drejtësi e cila sot, si rezultat, ka sjellë konstituimin e institucioneve kushtetuese të reja me kompetenca të mirëpërcaktuara e përfundimisht të shkëputura nga pushteti legjislativ dhe ai ekzekutiv. Një prej tyre është edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Këshilli, organi kryesor me kompetenca thelbësore në garantimin e statusit, pavarësisë dhe karrierës së magjistratit ka bindjen se, nuk mund të ketë sukses në goditjen penale të krimit nëse prokurorët që janë ushtruesit e kësaj goditjeje, nuk janë përzgjedhur bazuar në meritokraci, profesionalizëm, si dhe integritet të lartë të figurës së magjistratit. Pikërisht kjo është detyra themelore e Këshillit të cilën edhe për vitin 2021, e ka zbatuar me përpikëri dhe ndërgjegjje të lartë duke krijuar kështu, kushtet për efektshmërinë e sistemit të prokurorisë.
Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë janë ngritur dhe funksionojnë 4 komisione të përhershme të cilat përgjatë vitit 2021, kanë konkluduar në vendimmarrje si më poshtë vijojnë:
Komisioni i Planifikimit Strategjik, Administrimit dhe Buxhetit – në zbatim të kompetencave të tij, ka propozuar 21 vendime të cilat përkojnë me vendimarrjet mbi:
- miratimin e veprimtarive jashtë funksionit;
- dhënie leje të papaguar;
- shqyrtim ankese nga prokurorë;
- mbarimin e statusit të magjistratit;
- deklarimin e mbarimit të mandatit të anëtarit të Këshillit;
- caktimin e anëtarit të komisionit të mbrojtjes së prokurorëve;
- miratimin e listës së prokurorëve pjesëmarrës në aktivitete trajnuese të Shkollës së Magjistraturës;
- miratimin e komenteve dhe kundërshtimeve ndaj raportit të vlerësimit paraprak të kandidatëve që kanë aplikuar për pranimin në programin e formimit fillestar në vitin akademik 2021-2023, profili prokuror, të Shkollës së Magjistraturës.
Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale në zbatim të kompetencave të tij ka:
- përgatitur raportet e aftësive profesionale të prokurorëve, si subjekte të rivlerësimit kalimtar, gjithsej 52 prokurorë;
- kryer procesin e verifikimit të pasurisë dhe figurës së kandidatëve për t’u pranuar në formimin fillestar të Shkollës së Magjistraturës;
- kryer verifikimin e pasurisë dhe figurës, për kandidatët për t’u komanduar si Inspektorë pranë ILD-së dhe,
- konkluduar me miratimin dhe lejimin e një kandidati magjistrat për procesin e komandimit;
Gjithashtu ka:
- miratuar 4 raporte për verifikimin e figurës, pasurisë, si dhe plotësimit të kushteve dhe procedurave të parashikuara nga ligji për kancelarët në detyrë në sistemin e Prokurorisë, si dhe
- verifikimin e pasurisë dhe figurës për kandidatët për pozicion drejtuesi në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm sipas pozicioneve të lira të shpallura nga Këshilli ku, në përfundim si pasojë dorëheqjesh apo/dhe si pasojë e shkarkimeve nga KPK-ja, Komisioni ka proceduar me nxjerrjen e vendimeve përkatëse.
Komisioni i Zhvillimit të Karrierës edhe përgjatë vitit 2021, është përballur me vështirësitë e plotësimit të vendeve vakante në sistemin e prokurorisë me qëllim zbutjen e pasojave të diktuara nga procesi i rivlerësimit kalimtar të prokurorëve, gjithashtu edhe për shkak të arsyeve shëndetësore, mbushjes së moshës së pensionit të prokurorëve në detyrë apo kërkesave për dorëheqje.
Komisioni në zbatim të kompetencave të tij, ka kryer aplikimin e instrumenteve që përcakton ligji si:
- procedura e lëvizjes paralele,
- transferimi i përkohshëm, si dhe
- procedura së ngritjes në detyrë me qëllim plotësimin e këtyre vendeve vakante.
Plotësimi i vakancave në organikën e Prokurorisë së Posaçme, e cila u plotësua edhe me 4 prokurorë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të prokurorëve në këtë strukturë në 17 nga 20 që janë në organikën e saj i takon pikërisht, procedurave ligjore të iniciuara dhe zhvilluara nga ky Komision, (Komisioni i posaçëm ka në përbërje 3+2 anëtarë ku, anëtarët janë automatikisht edhe anëtarët e Komisionit të Posaçëm) të miratuara më pas në Këshill me vendimet përkatëse.
60% e akteve të miratuara nga Këshilli të cilat janë akte administrative me karakter individual, kolektiv ose normativ, propozohen nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës ku, për vitin 2021, këto akte numërohen rreth 253, konkretisht për:
- caktim të përkohshëm;
- miratim të renditjes së kandidatëve për pozicionin vakant;
- caktim prokurori nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele;
- caktim drejtuesi nëpërmjet procedurës së ngritjes në detyrë;
- caktim prokurori nëpërmjet procedurës së ngritjes në detyrë (Prokurori e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar);
- caktim me short të relatorit;
- shpallje vendi vakant nëpërmjet procedurës së transferimit;
- transferim të përkohshëm me pëlqim;
- komandim magjistrati prokuror;
- ndërprerje e caktimit të përkohshëm;
- deklarim mbarim statusi;
- pezullim procedure për procedurën e lëvizjes paralele për pozicion vakant;
- ndërprerje e pezullimit të vendimit të KLP-së;
- dhënie leje të papaguar;
- shpallje e vendeve vakante në Prokurorinë e Posaçme;
- shpallje vendi vakant të Këshilltarit të Etikës në KLP;
- ndërprerje dhe përfundim të procedurës së ngritjes në detyrë;
- ndalim të kandidimit të prokurorit, si dhe
- vendime të tjera në zbatim të dispozitave ligjore në fuqi.
Gjithashtu, Komisioni ka qenë i angazuar në hartimin e Rregulloreve të ndryshme, si:
- për organizimin dhe funksionimin e brendshëm të KLP-së;
- standardet e etikës dhe rregullat e sjelljes së prokurorit;
- rishikimi i rregullores së lëvizjes paralele,
- si dhe asaj të vlerësimit të veprimtarisë etike dhe profesionale të prokurorëve, e cila aktualisht është miratuar.
Një komision tjetër i përhershëm është edhe Komisioni Disiplinor i cili, ka trajtuar një numër më të lartë të kërkesave për fillim të procedimit disiplinor ndaj prokurorëve, disa prej të cilave janë shoqëruar me volum të konsiderueshëm të akteve që përbëjnë dosjen hetimore të përcjellë nga ILD-ja. Konkretisht, Komisioni gjatë vitit 2021, ka trajtuar 5 çështje, ku ka përfunduar 3 procedura disiplinore, (dy shkarkime nga detyra dhe një masë disiplinore vërejtje), si dhe ka në proces të trajtimit 2 procedura të adresuara nga ILD-ja për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistratit.
Gjithashtu, Komisioni Disiplinor ka trajtuar 3 kërkesa për pezullimin nga detyra të magjistratëve prokurorë për të cilët ka filluar procedimi penal, të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme, ku Këshilli ka marrë në të treja rastet vendim të pezullimit nga detyra referuar propozimit të Komisionit. Pezullimi zgjat deri në rënien e shkakut për të cilin është vendosur. Gjithashtu, pranë KLP-së është ngritur dhe është furnizuar me të dhënat bazë sipas vendimmarrjeve të sipërpërmendura edhe Regjistri Disiplinor, në përputhje me dispozitat ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Komisionit për Mbrojtjen e Prokurorëve është një organ kolegjial në përmbushje të garantimit të statusit të magjistratëve dhe, që zhvillon veprimtarinë e tij sipas VKM-së Nr.564, datë 31.7.2019, “Për kriteret dhe procedurat për mbrojtjen e veçantë të magjistratit gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij”.
Pranë këtij Komisioni janë paraqitur gjithsej 8 kërkesa për mbrojtje, nga magjistratë prokuror që ushtrojnë detyrën pranë prokurorive të shkallës së parë Tiranë, Elbasan Vlorë dhe Shkodër dhe, është marrë vendimmarrja specifike pas konstatimit të rrethanave objektive se, për shkak të ushtrimit të profesionit gjendeshin në rrethana serioze që rrezikonin jetën e tyre dhe të familjes së tyre. Vendimet janë adresuar në mënyrë të menjëhershme për zbatim strukturave të Policisë së Shtetit, të cilat kanë marrë masat për të garantuar mbrojtjen fizike të magjistratëve prokuror.
Komisioni i Posaçëm për Shqyrtimin e Ankesave kundër Arkivimit të hetimit nga ana e ILD-së, përgjatë vitit 2021, ka shqyrtuar gjithsej 58 ankesa të shtetasve të ndryshëm kundër vendimit të arkivimit të ILD-së, për afërsisht 66 prokurorë të sistemit të prokurorisë. Komisioni i Arkivimit, ka marrë përgjatë këtij viti 40 vendime dhe përgjithësisht ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të ILD-së duke e gjetur të drejtë e të bazuar në prova dhe ligj vendimin e Inspektorit.
Lidhur me veprimtarinë administrative dhe financiare të Këshillit, vlen të thëksohet se Këshilli ka në përbërje të tij 65 punonjës nga të cilët, 11 janë anëtarë të Këshillit dhe 1 Këshilltari i Etikës. Vendet e lira të shërbimit civil të organikës së institucionit janë plotësuar në zbatim të dispozitave ligjore në fuqi për rekrutimin dhe, për vitin 2021, rezultojnë në 9, ndërsa numri i të rekrutuarve punonjës administrativë dhe funksionarë në Kabinetin e Kryetarit janë respektivisht 3 dhe 1.
Lidhur me buxhetin e negociuar dhe alokuar për vitin 2021, ashtu siç dhe e dini, Këshilli nuk gjeneron të ardhura të tjera përveç buxhetit të shtetit.
Ky buxhet është alokuar në vlerën 159 150 (njëqind e pesëdhjetë e nëntë milion e njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, ndarë në zërat paga dhe sigurime shoqërore, mallra dhe shërbime, si dhe investime.
Për vitin 2021 buxheti është realizuar në masën 95%.
Marrëdhëniet institucionale të Këshillit me Shkollën e Magjistraturës janë në kuadër të emërimit dhe caktimit në detyrë të prokurorëve të rinj, verifikimit të studentëve të pranuar për të vijuar Programin e Formimit Fillestar për vitin akademik 2020-2021, miratimit të kalendarëve të trajnimeve vazhdues të prokurorëve etj, organizimit të aktiviteteve të përbashkëta, etj.
KLP-ja përgjatë vitit 2021, ka përfunduar verifikimin e pasurisë dhe figurës së 25 kandidatëve për t’u pranuar në programin e formimit fillestar të Shkollës së Magjistraturës në vitin akademik 2021-2022, ku për 23 prej tyre, Këshilli vendosi lejimin për t’u pranuar në Programin e Formimit Fillestar të Shkollës.
Gjithashtu, KLP-ja ka miratuar me vendim kalendarin e propozuar nga Shkolla e Magjistraturës, për aktivitetet trajnuese, për periudhën Prill-Korrik 2021, ku janë angazhuar prokurorët me eksperiencën përkatëse për llojin dhe specifikat e secilit trajnim.
Lidhur me marrëdhëniet institucionale me Ministrinë e Drejtësisë dhe me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, KLP-ja ka dhënë dy herë mendim, (në funksion të përmirësimit dhe funksionalitetit në praktikë të saj) në kuadër të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë, Planin e saj të Veprimit dhe Pasaportën e Indikatorëve, për periudhën 2021-2025.
KLP-ja ka raportuar në mënyrë të rregullt çdo muaj, për Përmbledhjen Ekzekutive të Reformës në Drejtësi, si dhe ka kryer raportime narrative e tabelore për periudhat Janar-Mars dhe Prill-Qershor 2021.
KLP-ja ka dhënë kontributin për hartimin dhe dërgimin e kontributit të katërt të Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, në cilësinë e përfaqësuesit si pjesë të Kapitullit 23, “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”; ka raportuar në mënyrë të detajuar për veprimtarinë e Këshillit, si dhe ka dhënë informacion shtesë për pyetjet e dërguara nga ana e Komisionit Evropian, Nënkomiteti i Stabilizim Asociimit, për Kapitullin 23, për periudhat: Prill-Qershor, Korrik-Shtator dhe Tetor-Dhjetor 2021.
Lidhur me marrëdhëniet institucionale me Prokurorinë e Përgjithshme informoj se, Prokurori i Përgjithshëm, ka thirrur 2 herë Mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve ku, prokurorët e të gjitha zyrave të prokurorive patën të drejtën për të votuar për 5 anëtarët e rinj prokurorë të KLP-së, si dhe ka raportuar pranë Këshillit mbi veprimtarinë e sistemit të prokurorisë gjatë vitit 2020.
Lidhur me marrëdhëniet me institucionet e rivlerësimit informoj se, KLP-ja si organ i ngarkuar për vlerësimin e punës të prokurorëve duke përfshirë edhe ndihmën në rivlerësimin kalimtar nëpërmjet Komisionit të Vlerësimit, ka përgatititur, raportet e aftësive profesionale të prokurorëve; ka marrë pjesë në hedhjen e shortit për përzgjedhjen në mënyrë rastësore të pesë dosjeve hetimore dhe tërheqjen e akteve që lidhen me këto dosje për prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Apelit; ka miratuar dhe dorëzuar 52 raporte për vlerësimin e aftësive profesionale të prokurorëve, së bashku me materialet që kanë shërbyer për përgatitjen e tyre, si dhe është shprehur me vendim për mbarimin e statusit të magjistratit për 7 prokuror.
KLP-ja ka përcjellë pranë organeve të rivlerësimit, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK-së) ose Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA-së), në varësi të fazës në të cilën ndodhej prokurori, vendimin për deklarimin e mbarimit të statusit, në mënyrë që KPK-ja ose KPA-ja të merrte vendim për pushimin e procesit të rivlerësimit.
Lidhur me marrëdhëniet me Kuvendin, veçohet paraqitja e raportit të veprimtarisë së KLP-së pas prezantimit dhe diskutimit të tij më parë nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut; diskutime me këtë komision të kërkesave buxhetore të institucionit si dhe korrespondenca me propozime të ndryshme ligjore që kanë të bëjnë me statusin e magjistratit apo edhe të anëtarëve të Këshillit.
Lidhur me transparencën institucionale të Këshillit të Lartë të Prokurorisë ndaj mediave dhe publikut, si një nga aspektet më të rëndësishme në përmbushjen e detyrimit ligjor për transparencën institucionale, komunikimit publik mes një institucioni dhe publikut, përfshirë këtu, median, institucionet e tjera publike, organizatat, përfaqësitë ndërkombëtare, etj., informoj se, KLP-ja ka pasqyruar me transparencë dhe përgjegjësi të plotë, të gjithë veprimtarinë e saj me qëllim aksesin e lirë në informacionin sa i takon veprimtarisë së institucionit (regjistrimin audio të mbledhjeve plenare brenda 24 orëve në faqen zyrtare web të Këshillit, publikimin e vendimeve të miratuara në seancën plenare, publikimin e çdo aktiviteti të qënësishëm të Këshillit, Kryetarit të tij apo Komisioneve të përhershme.
Këshilli i është përgjigjur çdo kërkese për informacion mbi veprimtarinë e saj të paraqitur nga individë, organizata të shoqërisë civile apo media investigative, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtën e informimit.
Kështu, të gjitha mbledhjet plenare apo edhe seancat dëgjimore kanë qenë të aksesueshme online. Në respektim edhe të bashkëpunimit me institucionet dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, platforma e komunikimit institucional online ka qenë e aksesueshme edhe për të ftuarit përfaqësues nga institucione si MD-ja, Prokurori i Përgjithshëm apo edhe programet e monitorimit OPDAT dhe EURALIUS.
Me të njëjtën transparencë janë pasqyruar të gjitha takimet, intervistat apo edhe aktivitetet e zhvilluara gjatë vitit 2021, konkretisht:
- Mbledhja e Përbashkët Vjetore mes KLP-së dhe KLGJ-së,
- ceremonia e organizuar me rastin e përfundimit të projektit EURALIUS në Shqipëri,
- ceremonia përkujtimore me rastin e Ditës Kombëtare të Drejtësisë, si dhe
- trajnimi mbi standardet etike të prokurorëve i zhvilluar nga OPDAT-i dhe KLP-ja etj.
Në këtë kuadër, në zbatim të legjislacionit në fuqi dhe direktivave të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ka garantuar informacion të plotë për publikun, pa pagesë dhe të aksesueshëm nga të gjithë, duke përditësuar Programin e Transparencës për të gjitha rubrikat e tij dhe duke e publikuar në faqen zyrtare web.
Gjithashtu, informoj se, në zbatim të rezolutës së Kuvendit “Për raportin vjetor të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2020”, KLP-ja ka ndërmarrë hapat ligjorë dhe proceduriale për emërimin e 12 drejtuesve të zyrave të prokurorive në kuadër të procedurës së ngritjes në detyrë.
Deri në vitin 2020, vakancat për këto pozicione janë plotësuar nëpërmjet procedurës së caktimit të përkohshëm. Gjithashtu, përgjatë vitit 2021, janë transferuar nëpërmjet lëvizjes paralele 24 prokurorë.
Lidhur me bashkëpunimin me Prokurorin e Përgjithshëm përmes raportimit lidhur me veprimtarinë e sistemit të prokurorisë gjatë vitit 2020, përveçse është ezauruar një detyrim ligjor, janë trajtuar para KLP-së arritjet e zyrave të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, si dhe problematikat që janë hasur veçanërisht me ndjekjen e zbatimit të udhëzimeve me karakter të përgjithshëm nga prokurorët e të gjitha niveleve.
Mbi forcimin e bashkëpunimit me organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe institucionet e tjera shtetërore, në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi, për të gjitha proceset që ndikojnë në zbatimin e duhur dhe efektiv të reformës në drejtësi, KLP-ja i ka kushtuar rëndësi të veçantë bashkëpunimit efektiv me organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, si dhe me institucionet e tjera shtetërore me qëllim zbatimin e duhur dhe me cilësi të reformës në drejtësi konkretisht: ILD-në, Shkollën e Magjistraturës, MD-në, por edhe me organet e rivlerësimit kalimtar. Gjithashtu, ka marrë pjesë në takimin për unifikimin e procedurave disiplinore, në prani të anëtarëve të komisioneve disiplinore të KLP-së dhe KLGJ-së, si dhe përfaqësuesve të ILD-së dhe ekspertëve të Misionit EURALIUS dhe Zyrës Tejoqeanike të Zhvillimit, Asistencës dhe Trajnimit Prokurorial (OPDAT).
KLP-ja ka informuar në vazhdimësi Kuvendin e Shqipërisë për problematikat e hasura në sistemin e prokurorisë, duke rekomanduar edhe zgjidhjet përkatëse mbi masat e nevojshme financiare dhe administrative lidhur me rishikimin e projektbuxhetit të vitit 2022, dhe parashikimin e fondeve shtesë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë për respektimin e detyrimit kushtetues të kryerjes së procesit të rivlerësimit kalimtar.
Mbi vijimin e procedurave për përzgjedhjen e prokurorëve të tjerë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për të bërë të mundur plotësimin e vendeve të lira në këtë institucion, KLP-ja ka emëruar 3 prokurorë për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi.
Kemi ende edhe tre vende vakante të paplotësuar (nga 20 që Kuvendi ka miratuar) në Prokurorinë e Posaçme të cilat me vendim të organit qeverisës kolegjial të prokurorisë nuk u hapën për shkak të:
- mos cenimit të nevojave të funksionalitetit të prokurorive të rretheve që shërbejnë si burim për kandidaturat ku, situata për shkak të vettingut ka qenë alarmante;
- kritereve tepër të larta që kërkon kandidimi në këtë strukturë, numri i prokurorëve që kanë kaluar procesin e rivlerësimit të cilët, si kriter ligjor për kandidim kanë qënien 10 vite në sistem dhe kanë dëshirë të ushtrojnë këtë detyrë, ka qënë i ulët.
Mospasja e kandidaturave potenciale në një numër të arsyeshëm që kërkon zhvillimin e një gare për një pozicion tepër të rëndësishëm dhe delikat, ka detyruar Këshillin, të plotësojë shkall-shkallë këtë prokurori duke diskutuar e marrë dhe mendimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, veçanërisht OPDAT-it amerikan.
Caktimi pranë Prokurorisë së Posaçme vitin e kaluar të 30 hetuesve të BKH-së dhe, këtë moment që po flasim edhe të 30 hetuesve të tjerë të cilët janë të gjithë në dispozicion të 17 prokurorëve aktualë, si dhe analizimi i ngarkesës së këtyre prokurorëve gjithashtu, na bën që të jeni të kujdesshëm në hapjen e garës për Prokurorinë e Speciale.
Lidhur me bashkëpunimin me Këshillin e Lartë Gjyqësor, për miratimin e rregullave të përbashkëta për bashkimin e procedimeve në rastin kur një gjyqtar dhe një prokuror janë përfshirë në të njëjtën shkelje, KLP-ja nuk ka zhvillime për këtë periudhë raportimi. Miratimi i rregullores së përbashkët për bashkimin e procedimeve disiplinore mes KLP-së dhe KLGJ-së, është prioritet për muajt e parë të vitit 2022.
Mbi forcimin e marrëdhënieve institucionale me Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, me qëllim trajtimin në afate të arsyeshme të procedimeve disiplinore për prokurorët, KLP-ja ka arritur të dalë me vendimmarrje përfundimtare për 3 prej 5 kërkesave të ILD-së, ndërsa për 2 të tjerat, pritet që vendimmarrja të arrihet në muajt e parë të vitit 2022.
Lidhur me hartimin, miratimin dhe zbatimin e rregullave më të detajuara për formimin fillestar dhe atë vazhdues për nëpunësit e tjerë civilë të prokurorisë, KLP-ja ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Euralius për krijimin e Njësisë së Trajnimit në funksion të trajnimit të nëpunësve civilë të prokurorive ku, u diskutua mundësia e përshtatjes së kurrikulave tashmë të përfunduara për kancelarët, si dhe për trajnime më të shkurtra për nëpunësit e tjerë. Sa i përket hartimit të një rregulloreje të posaçme për rregullat për formimin fillestar dhe vazhdues, nuk ka zhvillime për periudhën e raportimit.
Mbi hartimin dhe miratimin në një afat sa më të shkurtër të rregullores për vlerësimin e punës së prokurorëve. KLP-ja konkludonte se, pritej të miratohet në 3 muajt e parë të vitit 2022, dhe aktualisht është miratuar e për këtë u njoftua Komisioni.
Lidhur me hartimin, miratimin dhe zbatimin e rregullores për pensionin e parakohshëm të prokurorëve, nuk ka zhvillime për periudhën e raportimit. Kjo rregullore është në proces në kohën e këtij raportimi.
Lidhur me hartimin, miratimin dhe zbatimin e Rregullave (Kodit) për Etikën e prokurorëve, KLP-ja në bashkëpunim me Zyrën Tejoqeanike të Zhvillimit, Asistencës dhe Trajnimit Prokurorial (OPDAT), ka organizuar një trajnim mbi Kodin e Etikës së Prokurorit dhe standardet më të mira ndërkombëtare, që udhëzojnë sjelljen etike të tij, gjatë dhe jashtë ushtrimit të funksionit dhe, u është dërguar për konsultim edhe zyrave të prokurorisë. Ky Kod pritej të miratohet në fillim të vitit 2022, aktualisht është miratuar dhe për këtë u raportua edhe në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën dhe të Drejtat e Njeriut.
Për këtë arsye edhe përgatitja e miratimi i programit të përvitshëm për vlerësimin e veprimtarisë etike dhe profesionale të prokurorëve KLP-ja, do të jetë pjesë e raportimit në të ardhmen duke filluar nga viti 2022.
Mbi angazhimin në dhënien e deklaratave publike në mbrojtje të prokurorëve të veçantë, kur gjykohet se e drejta e tyre njerëzore rrezikohet të shkelet për shkak të kryerjes së detyrës ose kur kryerja e funksioneve të tyre ligjore po rrezikohet ose mund të rrezikohet si rezultat i veprimeve ose qëndrimeve të çdo subjekti publik ose privat, kryetari i KLP-së theksoi se, institucioni ka mbajtur një qëndrim publik për aktin kriminal që ndodhi me datë 11.03.2021, kundër prokurorit Arjan Muça, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Gjirokastër, i komanduar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pasi, makina që përdorej nga prokurori ra pre e një shpërthimi me tritol në Tiranë.
Mbi vijimin e dhënies së opinioneve dhe vlerësimeve për përmirësimet ligjore KLP-ja, është angazhuar përgjatë vitit 2021, dhe ka kontribuar me propozime konkrete lidhur me ndryshimet në legjislacionin që ka ndikuar në punën e prokurorisë dhe çdo çështje tjetër që është nën përgjegjësinë e Këshillit, konkretisht:
- projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr.110/2018, “Për noterinë””;
- projektvendimin “Për miratimin në parim të marrëveshjes ndërmjet Mbretërisë së Spanjës dhe Republikës së Shqipërisë si shtesë e Konventës Evropiane për Ekstradimin, të vitit 1975”;
- manualin për Hartimin e Legjislacionit;
- projektvendimin “Për propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut mbi transferimin e personave të dënuar””;
- ndryshimet kushtetuese, që lidhen me zgjatjen e mandateve të organeve të rivlerësimit kalimtar, si dhe
- projektvendimin “Për miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2021-2025 dhe Planit të saj të Veprimit”.
Në përfundim të këtij raportimi dua të bëj me dije se, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka në fokusin e prioriteteve për vitin 2022, miratimin e një sërë aktesh nënligjore kryesisht hartimit dhe miratimit të regullores:
- “Për komandimin e magjistratit në një institucion tjetër brenda sistemit të drejtësisë”;
- “Mbi kriteret dhe procedurat e ngritjes në detyrë të prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokuroritë pranë Gjykatave të Apelit të juridiksionit të përgjithshëm”;
- “Për vlerësimin e punës së prokurorëve”;
- “Për mënyrën e caktimit të kompensimit financiar që përfitojnë prokurorët në skemën e delegimit, që delegohen, transferohen përkohësisht ose caktohen përkohësisht”;
- “Për funksionimin e administratës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë”;
- “Për parandalimin e konfliktit të interesave“;
- “Për disa shtesa dhe ndryshime në rregulloren për levizjen paralele të prokurorëve”, si dhe,
- Mbi hartimin e anekseve lidhur me metodologjinë e vlerësimit të veprimtarisë etike dhe profesionale të prokurorëve që mbajnë funksione drejtuese, si dhe ata të apelit.
Synimi kryesor për momentin, duke patur parasysh edhe vakancat e krijuara për shkak të procesit të rivlerësimit kalimtar dhe dorëheqjeve të prokurorëve, është rritja e numrit të kandidatëve për prokurorë, duke ruajtur standardet dhe cilësinë e prurjeve në Shkollën e Magjistraturës, me qëllim plotësimin e këtyre vakancave dhe funksionimin e duhur të sistemit të prokurorisë në tërësi.
Gjithashtu, synohet mbajtja e takimeve periodike mes komisioneve të përhershme të KLP-së dhe KLGJ-së, me qëllim unifikimin e procedurave/praktikave sipas fushës së tyre të veprimit, si dhe miratimin e rregullores së përbashkët për bashkimin e procedimeve disiplinore.
KLP-ja gjatë veprimtarisë së saj ka evidentuar disa nevoja që i përkasin veçanërisht rritjes së kapaciteteve njerëzore në strukturën e vet në vlerësim të raportit me gamën e kompetencave kushtetuese dhe ligjore që ka. Kompetenca këto që reflektohen në vendimmarrje konkrete, të cilat nga eksperienca e jetës administrative institucionale kanë shfaqur domosdoshmërinë e rritjes së numrit total të organikës, me qëllim përballimin me efektivitet dhe efiçencë të ngarkesës së punës, në kuadër të objektivave dhe synimeve për vitet në vazhdim.
Duke falënderuar në radhë të parë për mbështetjen e deritanishme në aspektin bashkëpunues ligjor Kuvendin, për mbështetjen financiare të dhënë nëpërmjet buxhetit të alokuar, më lejoni të them se KLP-ja, një institucion i krijuar rishtazi dhe, theksoj me peshë kushtetuese, gjendet në nevoja që kërkojnë burime financiare suplementare për investime, pajisje, teknologji informative, si dhe trajnime. Sigurisht këtu nuk është as koha dhe as vendi i parashtrimeve të këtyre kërkesave, sepse pikërisht komisionet përkatëse të Kuvendit janë ata që absorvojnë gjithçka që paraqitet, por një informacion i tillë i sillet deputetëve të Shqipërisë, për të treguar vizionin e vetëdijshëm dhe seriozitetin e anëtarëve të Këshillit aktual për rritjen e cilësisë, efiçencës dhe efikasitetit të punës së institucionit.
Informoj gjithashtu se, KLP-ja kaa vlerësuar aktet që normojnë fushën e saj të kompetencës, apo rregullime konkrete ligjore të tjera, lidhur me statusin e magjistratëve prokurorë, si dhe disa aspekte që kanë shfaqur problematikë në aplikimin e tyre në praktikë dhe, në përfundim të propozimeve nga grupet e specializuara të punës, do t’i shqyrtojë së bashku me aktorët kombëtare të përfshirë, si dhe misionin OPDAT, përpara se t’i paraqesë ato për shqyrtim në Kuvend.
Në përfundim, dua të siguroj deputetët e Kuvendit të Shqipërisë se, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të vijojë detyrën me përkushtim dhe përgjegjshmëri të lartë në dhënie të kontributit në procesin reformues të sistemit të drejtësisë me synimin e vetëm, dhe të njëjtë, me atë që reforma në drejtësi u jetësua: garantimin dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe kthimin e besimit të publikut tek institucionet e shtetit.
E nderuar Kryetare,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë
Duke ju falënderuar për interesin e shfaqur gjatë këtij raportimi, ju ftoj të lexoni raportin vjetor të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2021, për të mësuar konkretisht mbi veprimtarinë voluminoze dhe të detajuar të kryer nga KLP-ja përgjatë vitit 2021.