Në ambjentet e institucionit sot, e enjte, datë 28.07.2022, u zhvillua ceremonia e betimit të prokurorëve të emëruar në vitin 2022, me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Në këtë ceremoni morën pjesë të gjithë anëtarët e Këshillit, zonja Naureda Llagami, Kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor, zonja Klotilda Bushka, Kryetare e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Kuvendi i Shqipërisë, zoti Olsian Çela, Prokuror i Përgjithshëm, zoti Arben Rakipi, Drejtor i Shkollës së Magjistraturës, zoti Arben Kraja, Drejtues i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), zonja Aida Hajnaj Drejtuese e Byrosë Kombëtare të Hetimit, zonja Michelle Lacomy, përfaqësuese e misionit OPDAT, zonja Adea Pirdeni, Zëvendësministre e Drejtësisë, drejtues të Prokurorive pranë Gjykatave të Shkallëve të Para dhe Apelit, familjarë, si dhe përfaqësues të medias në vend.
Ceremonia u hap me nderimin nga ana e pjesëmarrësve të himnit kombëtar, dhe vijoi me fjalët përshëndetëse për rastin, konkretisht të Kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, zotit Alfred Balla, Prokurorit të Përgjithshëm, zotit Olsian Çela, prokurorit të emëruar, zotit Denis Hyka, si dhe të familjarit të njërit nga prokurorët e emëruar.
Më pas u vijua me ceremoninë zyrtare të betimit të prokurorëve dhe në fund të gjithë pjesëmarrësit u ftuan në koktejl-in e përgatitur.
Përfitojmë nga rasti të bëjmë një sqarim publik për median lidhur me shërbimin privat të sigurisë fizike të objekteve (ShPSF) e cila, ruan ambjentet e jashtme të institucionit, për një keqkuptim të ndodhur mbi aksesin dhe pjesëmarrjen në institucion të disa përfaqësuesve të medias në këtë ceremoni.
Duke vlerësuar maksimalisht misionin e medias në pasqyrimin e lajmit, si dhe gatishmërinë dhe korrektësinë që media ka patur në raport me cilindo aktivitet të zhvilluar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë informojmë se, ftesa ka qenë e sinqertë dhe veprimet kanë ndodhur krejt të paqëllimshme.