Seminar marrëdhëniet dhe komunikimi i organeve të drejtësisë me mediat

Z. Alfred Balla kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, mori pjesë me një grup pune të përbërë nga anëtarët e Këshillit dhe 5 këshilltarë ligjor, në seminarin dy ditor, (14-15 shtator 2022) me temë “Komunikimi i Organeve të Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë me Median dhe Publikun” të organizuar nga dy projektet e përbashkëta të KiE/BE “Strengthening the Efficiency and Quality of Justice in Albania” dhe “Freedom of Media and Expression in Albania”. Në këtë aktivitet të pranishëm ishin dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani dhe një grup përfaqësues nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, i kryesuar nga znj. Marçela Shehu, anëtare e KLGJ-së.

Fokusi i seminarit ishte krijimi dhe konsolidimi i marrëdhënieve të ngushta dhe komunikimi i vazhdueshëm me mediat, specifikisht përqasja e institucioneve të drejtësisë, në situatën aktuale të krijuar prej procesit të Vetingut dhe krijimi i urave të qëndrueshme shkëmbyese dhe informative me median, duke pasur në qendër të vëmendjes përcjelljen tek publiku të së vërtetës lidhur me punën e institucioneve të drejtësisë.

Ne fjalën përshëndetëse Kryetari i Këshillit Z.Balla vuri theksin te veprimtaria e institucioneve mbi komunikimin me mediat dhe çfarë mund të përmirësohej për të forcuar dhe konsoliduar këto marrëdhënie dhe komunikime mes medias dhe institucioneve qeverisëse të Sistemit të Drejtësisë, me synimin përcjelljen e së vërtetës tek publiku dhe rikthimin e besimit në organet qeverisëse në drejtësi.