Takim dypalësh me ambasadoren e bashkimit evropian në tiranë

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë z.Alfred Balla së bashku me dy anëtaret e Këshillit znj.Esmeralda Keshi dhe znj.Eloida Goxhi, priti më datë 15.09.2022, në ambjentet e KLP-së, ambasadoren e re të Bashkimit Evropian në Tiranë, Zonjën Christiane Hohmann, e cila shoqërohej nga znj. Lenka Vitkova, Drejtuese e Seksionit Punëve të Brendshme dhe të Qeverisjes së Mirë, dhe z. Aleksandar Romanovic, Këshilltar Politik.

Zoti Balla pasi i shprehu mirënjohjen drejtueses aktuale të Delegacionit të BE-së në Tiranë, paraqiti një tablo përmbledhëse për punën e deri tanishme të Këshillit, duke theksuar se një institucion i ri, me një historik 3 vjeçar si KLP-ja, ka kaluar disa faza thelbësore, ku përmendi procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për Prokuror të Përgjithshëm, procesin e përzgjedhjes së prokurorëve të SPAK-ut dhe drejtuesine tij, përzgjedhjen e drejtuesit të BKH-së, përzgjedhjen e drejtuesve të prokurorive të shkallëve të para, procesin e rivlerësimit kalimtar për prokurorët “subjekt rivlerësimi”, proceset disiplinore në bashkëpunim me ILD-në, si dhe të gjitha hapat e proceseve të kryera për magjistratë3t nga student hyrës në “Formimin fillestar” në Shkollën e Magjistraturës, profili Prokuror deri tek të diplomuarit prej saj që nga viti 2019 e më sot, të cilët, zoti Balla u shpreh se, kanë qenë reth 40.

Shkëlqesia e Saj, Zonja ambasadore e nisi fjalën e saj me urimet për punën e bërë dhe vuri theksin mbi rëndësinë e të mbajturit të standardit të krijuar tashmë dhe në pasqyrimin e punës së bërë, për të arritur në rifitimin dhe konsolidimin e besimit të publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë në Drejtësinë shqiptare. Ambasadorja Hohmann shprehu kënaqësinë për hapjen e negociatave për anëtarësim te vendit në BE dhe theksoi se drejtësia dhe hapat e institucioneve qeverisëse në Drejtësi do të ishin një gur themeli në këtë proces.

Pas shkëmbimit të informacioneve teknike mbi mbështetjen për të mundësuar ruajtjen e ritmit dhe konsolidimin e hapave të hedhura, kreu i KLP-së vuri theksin mbi nevojën për digjitalizimin e sistemit të praktikave që do të mundësonte edhe shmangie të shumë vonesave në afate. Kjo do të ndihmonte në të gjitha proceset me natyrë kontrolluese apo mbikëqyrëse që Këshilli do të mund ti realizonte brenda afateve, këtu shtuar edhe ngarkesa në pune për secilin prokuror nga mungesa e ndjeshme e burimeve njerëzore, pa harruar numrin e kallëzimeve penale që i shtohen sistemit çdo vit.

Zonja Ambasadore shprehu mbështetjen e vendeve anëtare dhe theksoi se misioni i BE-së do të mbështeste Këshillin përmes shqyrtimit të nevojave specifike dhe po ashtu do të ishte i pranishëm në çdo hap për të mundësuar suport edhe nga ana teknike dhe specifikisht përmes shkëmbimeve të eksperiencave prokuroriale.