Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi ditën e premte, më 16.09.2022, mbledhjen plenare të radhës, në prani të 9 anëtarëve të Këshillit, e në prani të përfaqësuesve të misionit OPDAT dhe medias.
Mbledhja nisi sipas rendit të ditës me miratimin e procesverbalit të seancës plenare të datës 27.07. 2022.
Në këtë seancë plenare u miratuan projektaktet për:
-caktimin e përkohshëm të z. Kleanth Zeka, në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë së Apelit Vlorë;
-caktimin e përkohshëm të zj. Elida Hoxhaj, në detyrën e prokurores në Prokurorinë e Apelit Vlorë;
-caktimin e përkohshëm të zj. Pranvera Gruda në detyrën e prokurores në Prokurorinë e Apelit Shkodër;
-caktimin e përkohshëm të z. Rifat Kojku, në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë Dibër;
– transferimin me pëlqim të z. Elion Mustafaj nga Prokuroria e Vlorës në Prokurorinë Lushnje;
– caktimin e përkohshëm të z. Elion Mustafaj në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë Lushnje;
– caktimin e z. Kleanth Zeka, prokuror në Prokurorinë e Apelit Vlorë, për përfaqësimin e akuzës në një çështje në gjykim, pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër.
Gjithashtu, u miratuan projektakti “ Për rillogaritjen dhe pagesën e diferencës së pagës së papaguar të anëtarëve dhe ish anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për periudhën nga data 01.01. 2019 deri 28.5.2021”, si dhe ai për një ndryshim në vendimin Nr.157, datë 27.06.2022, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për praktikën profesionale të kandidatëve për magjistratë të Shkollës së Magjistraturës”.
Në seancën plenare u miratua edhe hapja e procedurës për zgjedhjen e Drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme. Thirrja e cila, do të publikohet në faqen zyrtare web të Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të përmbajë procedurën, dokumentacionin e nevojshëm dhe afatin e aplikimit prej 45 ditësh.
Këshilli do të ketë në dispozicion edhe 45 ditë të tjera për t’u njohur me dokumentacionin dhe platformat e aplikantëve që do shprehin dëshirën për të kandiduar si dhe zhvillimin e seancave dëgjimore me seicilin prej tyre, me qëllim që, deri në datën 18.12.2022, të mundësohet zgjedhja e drejtuesit të ri me mandat 3 – vjeçar.
Këshilli shtyu miratimin e disa ndryshimeve në Rregulloren “Për transferimin e prokurorëve nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele”, saj në mbledhjen e radhës.
Në përfundim të mbledhjes anëtarët e Këshillit diskutuan mbi seicilin prej 12 rekomandimeve të Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë përgjatë vitit 2021, duke pranuar se disa nga këto rekomandime janë iniciuar si procedura nga ana e institucionit, gjithsesi, u vendos për hartimin e një planveprimi me hapa konkret.