Njoftim për media

Në datat 26-27 shtator 2022, u zhvillua në Bruksel takimi shpjegues për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”, mbi zhvillimet e acquis që prej shtatorit të vitit 2018 e në vijim.

Delegacioni shqiptar kryesohet nga zonja Majlinda Dhuka Kryenegociatore dhe zonja Adea Pirdeni Zëvendësministër i Drejtësisë si përfaqësuese e Ministrisë së Drejtësisë, institucion negociues për kapitullin 23, si dhe ka në përbërje përfaqësues të sistemit të drejtësisë.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë u përfaqësua në këtë takim me Kryetarin e tij, zotin Alfred Balla.

Për sa i përket prezantimit në fushën e gjyqësorit institucionet e sistemit të drejtësisë, KLGj, KLP, KED, GjL, GjK, ILD, si dhe Shkolla Magjistraturës pasqyrojnë fushat lidhur me procesin e rivlerësimit kalimtar, efiçencën e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit-qasja ndëshkuese, të drejtat proceduriale dhe të drejtat e viktimave të krimeve, etj.

Lidhur me sistemin e drejtësisë në këtë takim shpjegues delegacioni shqiptar u përditësua nga ana e ekipit teknik të Komisionit Evropian, Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, si dhe nga Departamenti për Drejtësi, mbi jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED) dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) për sa i përket pavarësisë dhe paanshmërisë, cilësisë dhe efikasitetit të sistemit.

Konkretisht mbi: të drejtën themelore të aksesit në gjykatë, sigurimin e plotësimit të kërkesave për mbrojtje efektive; transferimet e magjistratëve; papajtueshmërinë e regjimit disiplinor me ligjin e BE-së; reformat në fushën e organizimit të sistemit gjyqësor; regjimin disiplinor të zbatueshëm për magjistratët dhe përgjegjësinë financiare të shtetit e atë personale të magjistratëve si rezultat i gabimeve gjyqësore; dënimet disiplinore të vendosura ndaj një magjistrati; emërimin, promovimin, dhe trajnimin e magjistratëve, etj.

Në kuadër të procesit të negociatave, këto takime shpjeguese, si fazë e parë e procesit të shqyrtimit, kanë si qëllim kryesor shqyrtimin analitik dhe vlerësimin e legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE-së, për të përcaktuar ndryshimet midis tyre, të cilat përfshijnë midis gamës edhe acquis lidhur me gjyqësorin, konkretisht kapitullin 23.

Ndërkohë është parashikuar zhvillimi i takimeve dypalëshe BE-Shqipëri, pikërisht për kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, ku autoritet shqiptare dhe institucionet respektive, në fund të muajit nëntor 2022, do të paraqesin raporte mbi shkallën e përafrimit me acquis dhe/apo planet e ardhshme për përafrimin ku, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të paraqesë materialin lidhur me fushën e kompetencave të tij.