Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë zoti Alfred Balla, priti sot më datë 12.10.2022, në një takim në ambjentet e institucionit, ambasadoren Franceze në Shqipëri, zonjën Elisabeth Barsacq së bashku me zonjën Anne-Elisabeth Gautier, Atashe për Bashkëpunimin .
Zonja Barsacq uroi zotin Balla për detyrën e kryetarit dhe vlerësoi punën e deritanishme të Këshillit.
Zoti Balla bëri një prezantim të shkurtër të veprimtarisë së institucionit që nga konstituimi i tij. Ai informoi Ambasadoren lidhur me parimin kushtetues dhe statusin ligjor të institucionit si qeveria e prokurorëve si një garanci kolegjiale për të gjithë trupën e prokurorëve në vend.
Ambasadorja shfaqi interes lidhur me bashkëpunimin institucional të KLP-së me organet e tjera të reja të reformës në drejtësi ku, zoti Balla e informoi lidhur me marrëdhëniet kryesisht me KLGJ-në, ILD-në dhe Prokurorin e Përgjithshëm.
Zonja Attache informoi mbi një projekt bashkëpunimi ku Franca si kontribues kryesor i BE-së, do jetë pjesë në ketë projekt me partner edhe shtetin Italian dhe atë Spanjoll. Ky projekt bashkëpunimi konsiston në dhënien e ndihmës konkrete institucioneve të KLP-së, KLGJ-së dhe ILD-së.
Në përfundim, ambasadorja falënderoi zotin Balla për takimin dhe vuri theksin mbi rëndësinë e të mbajturit të standartit të krijuar tashmë në pasqyrimin e punës së kryer, me qëllim arritjen e rifitimit dhe konsolidimit të besimit të publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë.