TAKIMI I ANËTARËVE TË KËSHILLIT TË LARTË TË PROKURORISË ME ZONJËN MICHELA MATUELLA, DREJTORE PËR BALLKANIN PERËNDIMOR NË KËSHILLIN E EVROPËS,

Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë kanë zhvilluar ditën e enjte, datë 10.11.2022, një takim me zonjën Michela Matuella, Drejtore për Ballkanin Perëndimor në Këshillin e Evropës dhe delegacionin shoqërues, si dhe Ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri zonjën Christiane Hohmann.

Në fokus të këtij takimi ishte puna e KLP-së, mbështetja e BE-së për KLP-në dhe zbatimi i reformës në drejtësi.

Kryetari i Këshillit, zoti Balla shprehu vlerësimin dhe falënderimet mbi mbështetjen e vazhdueshme të Këshillit të Evropës përkundrejt KLP-së dhe e informoi zonjën Matuella lidhur me konstituimin, vendimmarrjet dhe sfidat e institucionit, si dhe shpalosi vizionin e Këshillit nën drejtimin e tij. Një rëndësi të veçantë gjatë takimit iu dha edhe gjendjes aktuale të vështirë të organit të akuzës si pasojë e rivlerësimit kalimtar (vetting) të magjistratëve dhe vendimmarrjes institucionale lidhur me menaxhimin e saj nga ana e Këshillit.

Zonja Matuella shprehu vlerësimin për punën e deritanishme të kryer nga Këshilli dhe shprehu sigurinë se, Shqipëria i ka çelur negociatat edhe për rolin e kryer nga institucioni. Gjithsesi, puna e kryer derimë tani do të duhet të vijohet me sundimin e ligjit në vend dhe funksionalitetin e gjyqësorit, që vlerësohen si pika kyçe për marrëdhënien e qëndrueshme të bashkëpunimit midis vendit tonë dhe BE-së.

Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë e siguruan zonjën Matuella mbi angazhimin maksimal për kryerjen me përgjegjësi të lartë institucionale të detyrave funksionale në zbatim të normave kushtetuese dhe detyrimeve ligjore, si dhe mbi integritetin jo vetëm në zgjedhjen e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), por për të gjitha vendimmarrjet me qëllim, realizimin e misionit të reformës në drejtësi, si dhe kthimin e besimit të qytetarëve tek drejtësia e organet e reja tashmë të konstituuara të sistemit.