SHPREHJE INTERESI PËR KOMANDIMIN E 5 (PESË) MAGJISTRATËVE PROKURORË PRANË KLP

Këshilli i Lartë i Prokurorisë në përputhje me nenin 53 pika 2 dhe 54 të ligjit Nr.96/2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, nenin 176 pika 3 të ligjit Nr.115/2016 “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë” i ndryshuar, fton të gjithë prokurorët të cilët nuk shërbejnë në një pozicion me mandat të kufizuar dhe që nuk janë të komanduar në ndonjë pozicion tjetër, të shprehin interesin për t’u komanduar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë për 5 (pesë) vende vakante në pozicionin e këshilltarit ligjor. Afati i periudhës së komandimit do të jetë 5 vjet.
Kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë aplikimin brenda datës 13 Shkurt 2023, ora 24.00 pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ose në adresën e e-mail [email protected];

Në kuadër të detyrave që do të kryejnë, kriteret e kërkuara për këto pozicione janë si më poshtë :

 të jetë prokuror në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në Republikën e Shqipërisë;
 të ketë ushtruar profesionin e magjistratit për të paktën 7 vite;
 përvoja në hartim aktesh si dhe në pozicione drejtuese, në rast se ka, do të vlerësohet pozitivisht;
 të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
 të ketë aftësi shumë të mira organizative dhe komunikimi, si dhe për të punuar në grup;
Kërkesa për shprehjen e interesit duhet të përmbajë këto dokumente:

  1. Letër motivimi ku kandidati shpreh arsyet dhe motivin e kandidimit për këtë pozicion pune (jo më shumë se dy faqe A4).
  2. CV- në e kandidatit.
  3. Çdo dokument tjetër që konsiderohet i nevojshëm për plotësimin e kritereve.