Këshilli i Lartë i Prokurorisë u mblodh ditën e sotme në mbledhjen plenare të planifikuar, në prezencë të Anëtarëve, si dhe të përfaqësuesit nga Programi OPDAT dhe Ministria e Drejtësisë.
Aktet të cilat u miratuan gjatë seancës së sotme janë:
- Procesverbalet e Seancës Plenare të datave 24.04.2023 dhe 02.05.2023; (i dyti futur në seancë plenare me kërkesën e mbi 6 anëtarëve)
- Vendimi “Për shpalljen e vendeve vakante për drejtues prokurorie”. Vakancat u rihapën për drejtimin e prokurorive në Gjirokastër, Dibër, Kukës dhe Berat. Afati për kandidim si dhe kushtet e kriteret ligjore do të publikohen në faqen Web të Këshillit.
- Vendimi “Për shpalljen e vendeve vakante me procedurën e transferimit nëpërmjet lëvizjes paralele në Prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm”. Konkretisht u shpallën 26 vende vakante në prokuroritë si vijon: Tirana: 3 vende, Durrësi 6 vende, Fieri: 4 vende, Korça 6 vende, Vlora:2 vende, Shkodra: 2 vende, Lezha: 2 vende, Elbasan 1 vend.
Afati për kandidim si dhe kushtet e kriteret ligjore do të publikohen në faqen Web të Këshillit.
- Vendimi “Për caktimin në detyrën e prokurorit të zotit Ylli Pjetërnikaj në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për pozicionin e shpallur vakant Nr.1, me vendimin Nr.332, datë 19.12.2022 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sipas procedurës së lëvizjes paralele.”
- Vendimet “Për renditjen e kandidatëve në garën për pozicionet e shpallura vakant me Nr.2, 3, 4, 5 sipas vendimit Nr.332, datë 19.12.2022 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sipas procedurës së lëvizjes paralele, për Prokurorinë Tiranë”.
Renditja e miratuar në sens nga i pari me më shumë pikë tek i fundit, është si më poshtë:
Pozicioni Nr.2: R.Suka, P.Aliçka, E.Alvora, Xh.Seferi, E.Bako.
Pozicioni Nr.3: R.Suka, A.Felaj, Xh.Seferi, A. Mucaj, A.Cakaj
Pozicioni Nr.4: P.Aliçka, Xh.Sederi, E.Bako, A.Cakaj.
Pozicioni Nr.5: R.Suka, D.Pali, P.Aliçka, E.Bako, A.Mucaj, A.Cakaj, A.Bramo
- Vendimi “Për verifikimin e kandidatëve, për plotësimin e kushteve ligjore të kandidimit për procedurën e transferimit nëpërmjet lëvizjes paralele për 7 (shtatë) vende vakante në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”.
- Vendimi “Për miratimin e shkallës së vlerësimit të kritereve të posaçme të kandidatëve, për ngritjen në detyrë në pozicionin e drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier”. Në garë kanë mbetur 3 kandidatë dhe konkretisht prokurorët Elion Mustafaj, Elida Hoxhaj, Suela Beluli. Këshilli në një seancë tjetër në datën 22 Maj 2023, ora 10-11:30 do të dëgjoj publikisht platformat e kandidatëve.
- Vendimet mbi miratimin e “Raportit për analizimin e aftësisë profesionale të subjektit të rivlerësimit, të prokurorëve” Irena Çunoti, Ollga Visi, Pranvera Stafa, Xhelian Seferi.
Këshilltar i kabinetit
Pano Ceka