Këshilli i Lartë i Prokurorisë u mblodh sot në seancë plenare në prani të 11 anëtarëve, të përfaqësueses së Ministrisë së Drejtësisë, të programit amerikan OPDAT dhe të një gazetari.
Në fillim u miratua procesverbali i seancës së fundit plenare të datës 9 maj 2023.
Para se të fillonin intervistat me kandidaturat për drejtues të Prokurorisë Fier, Këshilli diskutoj dy kërkesa të paraqitura në Këshill dhe konkretisht:
Kërkesën e kandidates Elida Hoxhaj për të marrë në konsideratë disa prova të reja që do ndryshonin nivelet e vlerësimit të miratuara nga Këshilli më parë dhe kërkesa e kandidatit Genci Mane për të shtyrë seancën e planifikuar për sot me intervistat e tre kandidatëve pasi ai ka paraqitur ankim në Gjykatë për vendimin e Këshillit për mos marrjen parasysh të kërkesës së tij për vlerësim profesional të përshpejtuar. Ai pretendon edhe se do të ankohet ndaj vendimit Nr.99 të KLP-së për përcaktimin e shkallëve të vlerësimit të posaçëm. Të dyja kërkesat u rrëzuan nga shumica e Këshillit dhe votat u ndanë 8-2 në mungesë të Znj. Mandro.
Më tej u zhvilluan intervistat me të tre kandidatët Elida Hoxhaj, Eljon Mustafaj dhe Suela Beluli. Pas reth 5 orësh seanca u ndërpre për të vazhduar nesër të martën datë 23.05.2023 ora 9 për të kryer pikëzimin dhe renditjen e tre kandidatëve në garë dhe për të vazhduar me pikat e tjera të axhendës që mbetën pa u trajtuar sot.


