NJOFTIM PËR MEDIA MBI SEANCËN PLENARE DATË 07.06.2023

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi ditën e mërkurë, më datë 7 qershor 2023, mbledhjen plenare të radhës në prani të 8 (tetë) anëtarëve të Këshillit, si dhe në prani të përfaqësuesve të misionit OPDAT.

Në këtë mbledhje nuk morën pjesë Kryetari, zoti Alfred Balla, dhe anëtarët zoti Zeqir Hoda dhe zonja Nurihan Seiti, për shkak të raportimit në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në Kuvendin e Shqipërisë, për veprimtarinë institucionale të zhvilluar përgjatë vitit 2022.

Mbledhja u drejtua nga Zëvendëskryetari zoti Tartar Bazaj dhe nisi me miratimin e procesverbaleve të seancave plenare të datave 22.05.2023, 23.05.2023 dhe 29.05.2023.

Më pas, Këshilli miratoi me unanimitet aktet e propozuara nga Komisioni për Zhvillimin e Karrierës mbi:

  • Komandimin pranë Eurojust të magjistrates Fatjona Memçaj;
  • Caktimin në detyrën e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për pozicionet Nr.1, Nr.2, Nr.3, Nr.4, Nr.5, Nr.6 dhe Nr.7, të shpallura  vakant me vendimin Nr.67, datë 21.03.2023, sipas procedurës së lëvizjes paralele;
  • Një ndryshim në vendimin Nr.157, datë 27.06.2022, të Këshillit “Për praktikën profesionale të kandidatëve për magjistratë të Shkollës së Magjistraturës”;
  • Caktimin e zotit Elion Mustafaj, nëpërmjet procedurës së ngritjes në detyrë, në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier;
  • Verifikimin e kandidatëve, për plotësimin e kushteve ligjore të kandidimit për procedurën e transferimit nëpërmjet lëvizjes paralele, të shpallura me Vendimin e Këshillit Nr.92 datë 09.05.2023;
  • Mbylljen e procedurës së transferimit për pozicionet e shpallura vakante nëpërmjet lëvizjes paralele, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë;
  • Verifikimin e kandidatëve, për plotësimin e kushteve ligjore të kandidimit për drejtuesin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, nëpërmjet procedurës së ngritjes në detyrë;
  • Mbylljen e procedurës së ngritjes në detyrë për pozicionet e drejtuesve në Prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, Kukës dhe Gjirokastër.

Gjithashtu, me propozim të Komisionit për Vlerësimin e Veprimtarisë Etike dhe Profesionale u miratuan raportet për analizimin e aftësisë profesionale të subjekteve të rivlerësimit, zotit Anton Pali, zonjës Pranvera Gruda, zotit Platin Aliçka, zonjës Klerona Meçi dhe zotit Lazër Çardaku.

Në përfundim u miratua akti për hedhjen e shortit për caktimin e relatorit për verifikimin e pasurisë dhe figurës për kandidatët për t’u pranuar në programin e formimit fillestar të Shkollës së Magjistraturës në vitin akademik 2023-2024.