Sot u zhvillua në ambjentet e “Polit të Drejtesisë”, ceremonia e betimit përpara Këshillit, të 26 prokurorëve të rinj të cilët janë caktuar në pozicione anembanë vendit. Të pranishëm në këtë ceremoni përveç 26 magjistratëve e familjarëve të tyre, ishin dhe anëtarët e Këshillit, Prokurori i Përgjithshëm, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Ministri i Drejtësisë, Zv Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Përfaqësuesi i Shkollës së Magjistraturës, Përfaqësuesja e Programit OPDAT, Drejtuesja e projektit EU4JUSTICE, Prokurori i etikës në KLP, Drejtuesit e zyrave të Prokurorive, etj. Pas nderimit të Himnit Kombëtar mbajtën fjalë përshëndetëse Kryetari i Këshillit zoti Balla, Prokurori i Përgjithshëm zoti Cela, Ministri i Drejtësisë zoti Manja, Prokurorja e renditur e para zonja Hako. Pastaj prokurorët me radhë u betuan mbi kushtetutë.
Në fjalën e tij përshëndetëse Kryetari i Këshillit Zoti Balla mes të tjerave tha:
Të nderuar prokurorët më të rinj të vendit!
Sot është një ditë e veçantë për ju, 26 prokurorët e rinj që i shtoheni armatës së misionarëve të drejtësisë. Theksoj misionarë pasi pozicioni juaj kushtetues prej datës 27 qershor 2023 nuk është thjesht një profesion por një mision, i ngarkuar nga Shteti Shqiptar, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe nga gjithë qytetarët e këtij vendi për ju.
Mos harroni ju jeni përfaqësuesit e shtetit shqiptar. E drejta e akuzës që keni në dorë është një forcë e jashtëzakonshme që po të menaxhohet me integritet e drejtësi nga ju, bën mrekullira.
Kur të jeni duke punuar në çdo skaj të Shqipërisë, gjithmonë mendoni për këtë popull që e meriton të drejtën, mendoni për sakrificat e familjes suaj; mendoni për dikë që ju doni dhe ju do; mendoni për veten dhe për të ardhmen e fëmijëve tuaj.
Shkoni drejt ëndrrave tuaja që kanë nisur prej vitesh. Ky është momenti i duhur, mos harroni keni ardhur në skenën e drejtësisë shqiptare në një moment historik kur të gjithë i kemi sytë nga ju!
Mos na zhgënjeni!