NJOFTIM MBI TAKIMIN ME PËRFAQËSUESIT E KËSHILLIT TË LARTË GJYQËSOR TË REPUBLIKËS SË BULLGARISË

Kryetari i Këshillit, zoti Alfred Balla dhe Zëvendëskryetari zoti Tartar Bazaj zhvilluan sot një takim me zonjën Tsvetinka Pashkunova, zonjën Kalina Chapkanova, zonjën Svetlana Boshnakova dhe zotin Stefan Petrov, përfaqësues të Këshillit të Lartë Gjyqësor të Republikës së Bullgarisë.

Kryetari iu uroi mirëseardhjen dhe paraqiti një panoramë të shkurtër të Këshillit, përbërjes dhe mënyrës së përzgjedhjes së anëtarëve, kompetencave, mënyrës së vendimmarrjeve dhe aspekteve të përgjithshme administrative, si dhe bëri një prezantim krahasimor të ndryshimeve kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi me mënyrën e mëparshme të funksionimit të organit të akuzës dhe organeve të drejtësisë.

Zoti Balla paraqiti shkurtimisht vendimmarrjet më të rëndësishme të realizuara nga Këshilli përgjatë këtyre 5 vjetëve të krijimit dhe funksionimit të tij si: ngritja dhe krijimi i SPAK dhe përgjedhja e drejtuesit të kësaj strukture të posaçme, përzgjedhja dhe emërimi i Drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorit të përgjithshëm, si dhe informoi përfaqësuesit e KLGj-së së Republikës së Bullgarisë mbi procedurat e emërimit, zhvillimit të karrierës, të procesit të vlerësimit të prokurorëve dhe mbi kuadrin ligjor që rregullon procedurat e magjistratëve prokurorë në vendin tonë.

Zoti Balla, ndërkohë iu paraqiti homologëve edhe vështirësitë e hasura në punën e kryer nga institucioni i KLP-së, investimit të bërë në këtë aspekt nga qeveria e Shqipërisë, përkrahjen nga përfaqësi ndërkombëtare nëpërmjet strukturave teknike të tyre. Pavarësisht pritshmërive gjithmonë e në rritje të publikut, gjithashtu i informoi për faktin se perceptimi ndaj institucionit të KLP-së është tepër pozitiv.

Zëvendëskryetari zoti Tartar Bazaj, theksoi veçanërisht rëndësinë dhe suksesin në krijimin e SPAK, strukturë e cila derimë tani ka shfaqur vendosmëri në hetim dhe rezultate deri në nivele të larta të funksionarëve në vendit tonë. Njëkohësisht, zoti Bazaj shfaqi interes lidhur me kryerjen e procedurave disiplinore të magjistratëve që ushtrojnë detyrën në Republikën e Bullgarisë, autoritetin propozues, kontrollues dhe vendimmarrës për këtë aspekt, llojet e masave.

Në vijim, u shkëmbyen eksperienca lidhur me konkurrimin, mënyrën e përzgjedhjes, organet përkatëse, si dhe verifikimin e deklaratave të pasurisë dhe figurës për magjistratët e rinj në çastin e emërimit.

Në fund, zoti Balla theksoi se, reforma në drejtësi ndër të tjera ka sjellë përmirësim të mënyrës së kryerjes së hetimit nga prokurorët, e cila tashmë është e decentralizuar duke i dhënë pavarësi të plotë prokurorit në ushtrimin e detyrës.

Zoti Balla shprehu gatishmërinë e institucionit për të vijuar bashkëpunimin me KLGj-në në Republikën e Bullgarisë, në çdo kohë në të ardhmen, si një mënyrë shkëmbimi eksperiencash dhe praktikash, të cilat janë shumë të vlefshme për veprimtarinë e institucioneve të të dyja vendeve.