Është kënaqësi për mua t’ju përshëndes në këtë Mbledhje të Përgjithshme ku, nga radhët tuaja do të zgjidhni tre përfaqësues për të qenë anëtar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Kjo mund të jetë përshëndetja e fundit me ju pasi mandati im kushtetues është drejt përfundimit.
Këto 5 vite në Këshill për mua nuk kanë qenë thjeshtë e vetëm sfidë personale e ushtrim i një detyre me përgjegjshmëri, por ka qenë një kontribut i dhënë në kushtet e një sadisfaksioni të veçantë, për të cilin dua të shpreh mirënjohje për të gjithë ju, posaçërisht për përkrahjen e atyre që kam mundur t’i njoh personalisht.
Ju falënderoj me zemër gjithsecilin për atë çfarë përfaqëson në mbrojtje të sistemit juridik shqiptar, me qëllim ndërtimin e një shteti të drejtë e të pa lëkundshëm.
Vitet e fundit kanë qenë më të vështirat në historikun e prokurorisë shqiptare;
Ju u vutë nën një sprovë besimi, nën një trysni të fortë morale, shoqërore, por edhe juridike. Një pjesë prej jush ja doli dhe sot është këtu mes nesh.
Nisur nga interesi i publikut dhe medias ju pasqyroj disa të dhëna lidhur me efektet që ka sjellë procesi i rivlerësimit kalimtar dhe vendimmarrjet e deri tanishme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për sistemin e prokurorisë, deri në datë 11.10.2023, ku:
- Procesit vetting i janë nënshtruar 336 subjekte prokurorë dhe ndihmës ligjorë;
- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë vendime për 282 prej këtyre subjekteve;
- Mbeten 54 subjekte (prokurorë) ende në proces;
- Janë konfirmuar 123 prokurorë (jo të gjithë me vendime të formës së prerë);
- Janë shkarkuar nga sistemi 108 prokurorë (disa vendime të KPK-së janë ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ku, pritet vendimmarrja);
- Janë larguar nga sistemi 24 prokurorë nëpërmjet dorëheqjes dhe 13 prokurorë për shkak të mbushjes së moshës së pensionit dhe/ose nëpërmjet miratimit të kërkesave për daljen në pension të parakohshëm, si dhe janë ndarë nga jeta 2 prokurorë;
- Janë shkarkuar nga detyra dhe janë larguar nga sistemi 5 prokurorë me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Procesi vetting që kaluat ishte një sfidë e vërtetë, në radhë të parë me veten, më pas me shoqërinë shqiptare që pret aq shumë nga drejtësia, dhe në fund, por jo për nga rëndësia, me familjarët tuaj që domosdoshmërisht janë bashkëudhëtarë dhe ndajnë trysninë, ankthin, kontrollin por edhe sukseset me ju.
Në fund të mandatit tim kushtetues, kur më duhet të bëj me veten një bilanc të punës personale dhe institucionale, emocionohem, por ndjehem krenar për gjithçka të mirë që kemi bërë:
- E ngritëm nga zero Këshillin, fillimisht pa zyra, pa administratë e pa asgjë (me letrën format borxh të Prokurorit të Përgjithshëm, e me vulën e sponsorizuar nga Xhoni i OPDAT -J) dhe me sfidën e largimit të 5 anëtarëve nga KPA.
- Zbërthyem dhe aplikuam në vendimmarrje formulën e re të qeverisjes së prokurorëve ku, 6 anëtarë prokurorë të zgjedhur nga ju dhe 5 anëtarë laikë të zgjedhur nga Parlamenti, ua them me bindje, që jo vetëm nuk e kanë ndjerë veten asnjëherë të ndryshëm, por me integritet kanë përfaqësuar denjësisht pozicionin nga vijnë.
- Në kohë rekord ngritëm Prokurorinë e Posaçme fillimisht me 8 dhe sot jemi në prag të plotësimit të saj me 20 prokurorë.
- Zhvilluam një garë transparente disa mujore për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm i cili, sot, ndodhet në mes të mandatit kushtetues.
- Emëruam drejtuesen e Byrosë Kombëtare të Hetimit në SPAK dhe sot kjo strukturë funksionon me 60 hetues të përkushtuar.
- Menaxhuam në periudhën më të vështirë sistemin e prokurorisë duke plotësuar vendet vakante të krijuara nga procesi i rivlerësimit qoftë në drejtim apo dhe në bazë, nëpërmjet mjeteve ligjore. Sot shumica e 14 prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm kanë drejtues të përzgjedhur me meritokraci e garë.
- Kryem në kohë rekord kontrollin e figurës dhe pasurisë duke emëruar nëpër zyrat e republikës rreth 60 prokurorë të rinj magjistratë. Sistemi sot është i pajisur me dinamizmin e tyre dhe me eksperiencën tuaj.
- Plotësuam bazën nënligjore të veprimtarisë së Këshillit duke miratuar me dhjetra rregullore për të cilat nuk kemi patur asnjë kontestim nga trupa e prokurorëve.
- Kemi filluar dhe kemi në proces vlerësimi profesional rreth 40 prokurorë dhe për vitin në vijim do të parashikojmë edhe 50 të tjerë.
- Kemi ngritur zërin fort në mbrojtjen tuaj nga cdo sulm i padrejtë nga të gjitha anët e shoqërisë duke reaguar publikisht disa herë.
- Mund të kem harruar edhe ndonjë arritje tjetër, por e them me bindje se, sot, sistemi i prokurorisë e ndjen veten më të pavarur, më të vlerësuar, më të paguar e më të mbrojtur se kurrë.
- Sistemi e ka kaluar pikën zero dhe kurba është drejt ngritjes. Durim dhe disa muaj dhe çdo gjë do të rrjedhë në normalitet.
Të nderuar prokurorë
- Me eksperiencën, integritetin, pengesat dhe vizionin që kishim, ne, të gjithë anëtarët e Këshillit që kontribuam përgjatë këtyre pesë viteve, u munduam të bënim më të mirën për ju!
- Koha do të na gjykojë dhe brezat e prokurorëve!
Sot porosia e vetme për ju është:
Votoni ata që mendoni se mund t’ju përfaqësojnë me dinjitet, urtësi e profesionalizëm në shtëpinë tuaj qeverisëse.
- Suksese të gjithëve!