NJOFTIM MBI TAKIMIN ME ZOTIN VINCENT MACQ, EXPERT I PROJEKTIT SEPEJ DHE PËRFAQËSUES TË KËSHILLIT TË EVROPËS

Anëtarja e Këshillit, zonja Nurihan Seiti, zhvilloi sot, më 22 nëntor 2023, një takim me zotin Vincent Macq, ekspert i projektit CEPEJ dhe përfaqësueset e projektit SEJIIV, në ambjente e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Zonja Seiti i uroi mirëseardhjen dhe i falënderoi për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë nga BE në përgjithësi për reformën në drejtësi të ndërmarrë në vendin tonë dhe në veçanti nëpërmjet ndihmës teknike të akorduar për institucionet e reja të krijuara.

Zoti Macq, informoi zonjën Seiti mbi qëllimin e vizitës e cila, kryhet në kuadër të pasqyrimit të nevojave dhe pritshmërive që ka Këshilli me qëllim vlerësimin e detajuar të këtyre nevojave dhe kontributin konkret nëpërmjet rekomandimeve dhe bashkëpunimeve të mëtejshme.

Zonja Seiti i paraqiti një tablo të plotë të funksionimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që në fillesat e krijimit, sfidat e hasura në menaxhimin e sistemit për shkak të vakancave si pasojë e procesit vetting, si dhe arritjet kryesisht me: zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, krijimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, zgjedhjen e drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, menaxhimin e karrierës së prokurorëve, si dhe procesin e vlerësimit të veprimtarisë etike dhe profesionale të tyre.

E gjithë veprimtaria e Këshillit, sqaroi zonja Seiti, së bashku me vështirësinë e krijimit të këtij institucioni të ri, është fokusuar që në fillesa në miratimin e kuadrit nënligjor.

Zonja Seiti, vuri theksin në procesin e vlerësimit të veprimtarisë etike dhe profesionale të prokurorëve që kryhet pikërisht nga Komisioni në të cilin bën pjesë në cilësinë e Kryetares, duke parashtruar punën voluminoze të kryer këtë vit, që nga shortimi i 35 prokuroëve të parë dhe vështirësitë konkrete të ndeshura përgjatë procesit, përfshirë këtu procedurën e shortimit, mbledhjen e të dhënave, përpunimin e tyre etj.

Në këtë kuadër, zonja Seiti kërkoi ndihmë konkrete lidhur me pasjen e një moduli dhe implementimin e një sistemi automatik i cili, konsiderohet jetik pasi, procesi përfshin procedura që angazhojnë burime njerëzore për një kohë të gjatë, për shkak të mbledhjes së të dhënave në mënyrë manuale nga zyrat përkatëse të prokurorive. Ky sistem elektronik i menaxhimit të dosjeve do duhet të përmbajë të dhëna që me regjistrimin e kallzimit penal, fazat e hetimit, dërgimin e çështjes për gjykim dhe vendimin përkatës, do të jetë ndihmë thelbësore në procesin e vlerësimit etik dhe profesional të prokurorëve.

Mbi këtë çështje, u diskutuan edhe disa ndryshime ligjore të cilat, janë ende në vlerësim edhe me ekspertë të huaj.

Në përfundim, zonja Seiti dhe zoti Macq u dakordësuan për vijimin e bashkëpunimit me qëllim shkëmbimin e eksperiencave mbi procese të njëjta që zhvillohen në vende të tjera të Bashkimit Evropian.