Në datë 08.02.2024, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, përfaqësuar nga znj, Nurihan Seiti, anëtare e Këshillit, zhvilloi një takim me Zonja Anastasiia Nohovitsyna, koordinatore pranë Sekretariatit të CEPEJ.
Takimi u fokusua në disa tematika, kryesisht mbi procesin e vlerësimit të prokurorëve, si një nga veprimtaritë themelore të Këshillit.
Të pranishmit diskutuan lidhur me mbledhjen e të dhënave statistikore nga prokuroritë e Republikës së Shqipërisë në kuadër të procesit të vlerësimit etik dhe profesional të prokurorëve, dhe mundësinë e unifikimit të metodologjisë së ndjekur për mbledhjen e tyre nga grupet e punës të ngritura për këtë qëllim.
Zonja Nurihan Seiti në fjalën e saj u shpreh se, aktualisht është emergjencë krijimi i një sistemi elektronik për hedhjen e të dhënave të kërkuara sipas anekseve të Rregullores së Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për vlerësimin etik dhe profesional të prokurorëve”, miratuar në datë 09.05.2022.
Gjithashtu, pjesë e diskutimit ishte edhe mundësia e rishikimit të indikatorëve të vendosur për matjen e performancës, nëse këto indikatorë janë objektivisht të matshëm. Për këtë qëllim, u dakordësua të vijohet bashkëpunimi i mëtejshëm, si dhe u propozua zhvillimi i një workshop-i me përfaqësues të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bosnje Herzegovinës dhe Komisionit Evropian, me qëllim shkëmbimin e eksperiencave në këtë drejtim.