FJALA PËRSHËNDETËSE E KRYETARIT TË KLP-SË NË DITËN E DREJTËSISË 10 MAJ 2024

Të nderuar personalitete të larta të shtetit dhe të drejtësisë, miq dhe kolegë pjesëmarrës.

Realiteti historik dhe politiko-juridik në Shqipëri që prej shpalljes së pavarësisë e deri në ditët e sotme ka pësuar ndryshime të mëdha, si në mënyrën e organizimit të sistemit të qeverisjes, në raportet që ka shteti me individin dhe të drejtat e tij, ashtu edhe me mënyrën e ndarjes (ose jo) të pushteteve me njëri-tjetrin.

Më 10 maj 1913, qeveria e Ismail Qemalit dekretoi “Kanunin e Zhurisë”, si aktin e parë juridik për organizimin dhe funksionimin e sistemit juridik në shtetin e pavarur shqiptar, datë e cila shënon edhe “Ditën Kombëtare të Drejtësisë”.

Sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka qenë objekt i një transformimi të vazhdueshëm që prej pavarësisë, po aq sa edhe pas vitit 1991. U desh miratimi i Kushtetutës së re në vitin 1998, që të ndryshoheshin dhe përmirësoheshin dispozitat për organizimin dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë, derisa i erdhi momenti reformës në drejtësi, ku u rishikua për herë të katërt.

Reforma në drejtësi është reforma më e rëndësishme që ka ndodhur dhe po ndodh në Shqipëri, që prej fillimit të viteve 90 e këtej. Në Shqipëri nuk kanë munguar përpjekjet për përmirësimin e sistemit të drejtësisë, por gjithsesi sikurse shihet, ato kanë qenë të pjesshme dhe jo substanciale.

Reforma në drejtësi erdhi si rezultat edhe i një prej përpjekjeve më të mëdha të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian (BE). Një prej pesë prioriteteve kyçe që BE i ka vendosur Shqipërisë është edhe reformimi i drejtësisë, e cila përmban luftën aktive kundër korrupsionit, pavarësinë dhe efektivitetin e pushtetit gjyqësor, luftën kundër krimit të organizuar dhe mbrojtjen e sigurimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të proklamuara në Kushtetutë. Kujtojmë gjithashtu se, që në takimet e para, Këshilli Evropian është shprehur se, vendet që duan të anëtarësohen në BE duhet të forcojnë shtetin e së drejtës, për ta bërë të mundur këtë gjë.

Përpjekjet reale për të përmirësuar sistemin e drejtësisë, duke marrë parasysh parametra si: pavarësia e paanshmëria; përgjegjshmëria dhe transparenca; efektiviteti dhe efiçienca; dhe niveli i bashkë-punimit institucional në të gjitha hallkat e këtij sistemi u arritën vetëm nëpërmjet implementimit të Reformës në Drejtësi, ku u arrit të vihej theksi në parime të rëndësishme si respektimi i pavarësisë së sistemit të drejtësisë, gjykimi i drejtë, parimi i ligjshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies, si elementë të rëndësishëm të shtetit ligjor.

Të nderuar miq

Në vendin tonë dhe kudo, veprimtaria e organit të akuzës është, në fakt, mjeti kryesor i shoqërisë për dënimin e sjelljes kriminale. Prokurorit i kërkohet zbatimi i ligjit dhe njëkohësisht mbrojtja e të drejtave të personave të përfshirë në procedimet penale, respektimi i dinjitetit njerëzor dhe të drejtave themelore. Aktualisht, me ndryshimet ligjore që solli paketa e reformës në drejtësi prokurori është i pavarur dhe i paanshëm në kryerjen e funksioneve të tij, dhe më e rëndësishmja i lirë nga çdo presion dhe ndikim politik dhe i panevojshëm dhe garant për këtë janë Kushtetuta dhe KLP-ja!

Këshillat, kanë hyrë në vitin e gjashtë të krijimit të tyre. Pavarësisht arritjeve të deritanishme dhe rezultateve të prekshme, koha në dispozicion të drejtësisë së re ka qenë e pakët, gjithsesi, tani mund të identifikohet se çfarë është bërë mirë e çfarë mund të përmirësohet në vijim.

Sot, organet kushtetuese të qeverisjes së magjistratëve, nëpërmjet mjeteve dhe mekanizmave të garantuar me ligj, angazhohen të sigurojnë që prokuroria dhe sistemi gjyqësor të funksionojnë në përputhje me parimet dhe interesat legjitime të shoqërisë.

Aktualisht, prokuroria dhe gjykata po përballen me disa sfida të cilat kemi për detyrë ti fitojmë dhe konkretisht:

– sfidën e plotësimit të vendeve të mbetura vakante nga procesi i vetingut;

– sfidën e gjetjes së një të mesme të artë mes çëshjeve pa fund të akumuluara ndër vite dhe evadimit të atyre që janë më urgjente;

– sfidën e konsolidimit të organeve të reja të drejtësisë që tashmë kanë disa vite që janë krijuar;

– sfidën e rritjes së cilësisë së hetimeve dhe gjykimit për cështjet penale, civile dhe administrative;

– sfidën e kontrollit profesional mbi gjyqtarët e prokurorët si garanci për karrieren e tyre me meritë;

– Dhe sfida e fundit por më e rëndësishmja ajo e rikthimit të besimit të publikut tek drejtësia.

Krijimi i organeve efikase të drejtësisë siguron pavarësinë e tyre, kjo e fundit nuk është privilegj, por garanci për një proces hetimi dhe gjykimi të drejtë. Në këtë kuptim, diskrecionit të magjistratit gjatë ushtrimit të detyrës, në çdo rast, i shtrohen pyetje mbi llogaridhënien dhe përgjegjësitë mbi veprimet dhe vendimet e tyre.

Në një shoqëri demokratike çdo institucion duhet të mbetet përgjegjës dhe të përgjigjet për hapat që ndërmerr duke u angazhuar në zgjidhjen e situatave të krijuara.

Duke ju falënderuar të gjithëve për pjesëmarrjen në këtë aktivitet të përbashkët të qeverive të magjistratëve, KLP dhe KLGJ, ju ftoj të paraqisni kontributet tuaja mbi çështjet e parashikuara sot për diskutim, duke mbetur i hapur për çdo mendim dhe debat.

Edhe një herë gëzuar ditën e drejtësisë të gjithë kolegëve prokuror, gjyqtar, këshilltar, hetues, oficer, avokat, përmbarues, ndërmjetës, noterë, juristë dhe studentë të së drejtës si dhe gjithë shqiptarëve që besojnë dhe e duan drejtësinë!