Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot, seancën e radhës plenare, e cila u mblodh në kushtet e kuorumit të domosdoshëm prej 7 anëtarësh, në mungesë të anëtarëve znj. Arta Mandro, znj. Nurihan Seiti dhe z. Tartar Bazaj. Të pranishëm në këtë seancë ishin përfaqësues të projektit EU4 JUSTICE, Ministrisë së Drejtësisë si dhe Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes.
Në përputhje me rendin e ditës së parashikuar në axhendë, mbledhja filloi me miratimin unanim të dy procesverbaleve të seancave plenare të datës 17.05.2024 dhe 27.05.2024.
Në lidhje me projekt-aktin “Mbi renditjen e kandidatëve në garë për pozicionin e shpallur vakant në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me vendimin nr. 13, datë 16.02.2024, sipas procedurës së transferimit nëpërmjet lëvizjes paralele”, Këshilli miratoi me 7 vota pro, renditjen e znj. Armida Kaçi.
Më pas, u miratua unanimisht, vijimi i caktimit të përkohshëm të prokurores, znj. Enkeleda Hoxha, në pozicionin e drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë së Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.
Gjatë kësaj mbledhjeje, Këshilli miratoi unanimisht 19 (nëntëmbëdhjetë) projekt-aktet “Për verifikimin e pasurisë dhe figurës për kandidatët magjistratë prokurorë, të cilët do të diplomohen nga Shkolla e Magjistraturës në vitin 2024” dhe do të vijojnë emërimin e tyre si prokurorë.
Në vijim, Këshilli miratoi projekt-aktin “Për një ndryshim dhe shtesë në vendimin nr.66, datë 17.05.2024, të KLP-së” dhe “Për caktimin me short të Relatorit dhe Këshilltarit Ligjor përgjegjës për procedurat e Vlerësimit të Përshpejtuar të paraqitura me kërkesë në kuadër të procedurës së lëvizjes paralele për vendet vakante në Prokuroritë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, shpallur me Vendimin nr. 13, datë 16.02.2024, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”, i ndryshuar”. Pas kërkesës për dorëheqje nga relatori z. Andi Pogaçe, për vlerësimin e znj. Aida Cakaj, është hedhur shorti për zëvendësimin e z. Pogaçe dhe në përfundim të shortimit është zgjedhur relator z. Ylli Pjetërnikaj.
Pas një sërë diskutimesh në lidhje me miratimin e projekt-aktit “Për disa ndryshime në Rregulloren “Për vlerësimin etik dhe profesional të prokurorëve”, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, miratoi me votë unanime ndryshimet e propozuara nga grupi i punës dhe ekspertë të ftuar nga misioni EU4 JUSTICE, të cilat kanë të bëjnë me pikëzimet e treguesve të ndryshëm, periudhat e vlerësimit, pjesëmarrjen e prokurorëve në programet e formimit vazhdues, disponueshmërinë e tyre për të udhëhequr kandidatët për prokurorë si dhe angazhimin e prokurorëve në veprimtari ndër-institucionale për përmirësimin e sistemit të drejtësisë apo veprimtari që lidhen me marrëdhëniet me publikun.
Në përfundim, Këshilli vendosi të shqyrtojë në seancën e radhës, dy pika nga axhenda e sotme, respektivisht; Diskutimi / miratimi i projektaktit “Për vlerësimin etik dhe profesional në kuadër të kërkesës për vlerësim të përshpejtuar për Vitjuna Terpollari (Mata)” si dhe kërkesën e zotit Altin Binaj, për t’u caktuar në detyrën e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.