VLERËSIMI PËR PERFORMANCËN E PROKURORËVE -PJESËMARRJA E PËRFAQËSUESVE TË KËSHILLIT TË LARTË TË PROKURORISË

Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë morën pjesë dhe diskutuan rreth dokumentacionit të politikave lidhur me “Vlerësimin e Sistemit të Vlerësimit të Performancës së Prokurorëve në Shqipëri – Problematika dhe Rekomandime,” organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes me mbështetjen e Ambasadës Holandeze në Tiranë, në datën 12 Qershor 2024.


Në aktivitet morën pjesë dhe diskutuan lidhur me problematikat e procesit të vlerësimit të prokurorëve z. Olsian Cela, Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, znj. Jorida Tabaku, Kryetare e Komisionit për Çështjet Evropiane, prokurorë, ekspertë, përfaqësues të trupit diplomatik dhe shoqërisë civile.


Analiza u përqendrua në identifikimin e problematikave dhe indikatorëve lidhur me performancën e prokurorëve, përmes pesë parametrave kryesorë si; drejtësia dhe objektiviteti i procesit të mbledhjes së të dhënave, saktësia dhe besueshmëria e tyre, gjithëpërfshirja, transparenca, përgjegjshmëria si dhe orientimi drejt rezultateve.


Pas një sërë diskutimesh, gjetjet dhe rekomandimet e dokumentacionit u vlerësuan si një platformë e rëndësishme për të sensibilizuar mbi funksionimin e sistemit të vlerësimit të prokurorëve dhe për të identifikuar hapat që duhet të ndërmerren për të siguruar funksionalitetin e tij.