Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot seancën e radhës plenare, në prani të të gjithë anëtarëve të tij si dhe të ftuarëve përfaqësues të programeve EU4 JUSTICE, OPDAT dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Mbledhja filloi me miratimin procesverbalit të seancës plenare të datës 07.06.2024. Ndërkohë, me propozim të z. Moisi Duda dhe z. Zeqir Hoda, rendit të ditës iu shtuan edhe 3 (tre) çështje të tjera për diskutim dhe miratimin, përkatësisht;
- “Për një ndryshim të regullores “Për vlerësimin etik dhe profesional të prokurorëve” e ndryshuar”
- “Kërkesë për veprimtari jashtë funksioni nga prokurorja znj. Manjola Kajana”
- “Miratimin e listës së plotë të magjistratëve që do të diplomohen nga Shkolla e Magjistraturës, për vitin 2024, duke reflektuar emrin e magjistrates znj. Klerta Çonga”.
Këshilli vendosi me unanimitet miratimin e 2 (dy) projekt-akteve mbi caktimin e përkohshëm për dy drejtues prokurorie, respektivisht, “Mbi caktimin e përkohshëm të prokurores Edina Kurti, në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë së Juridiksionit të Përgjithshëm Berat” si dhe “Mbi caktimin e përkohshëm të prokurorit Kreshnik Ajazi, në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan”.
Në vijim, Këshilli vendosi unanimisht edhe “Mbi riemërimin magjistrat dhe caktimin në detyrën e prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, për zotin Altin Binaj”.
Sa i përket projekt-aktit për “Fillimin e verifikimit të kandidatëve për plotësimin e kushteve ligjore të kandidimit për procedurën e transferimit nëpërmjet lëvizjes paralele”, Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, propozoi ndryshimin e relatorit përmes hedhjes së shortit. Në përfundim të shortimit, Këshilli vendosi me votë unanime, miratimin e relatorëve si vijon;
- Znj. Ledina Riza, relatore për procedurën e transferimit nëpërmjet lëvizjes paralele për pozicionin vakant Nr.2 në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë;
- Zonja Ledina Riza, relatore për procedurën e transferimit nëpërmjet lëvizjes paralele për pozicionin vakant Nr.2 në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan;
- Zoti Sokol Stojani, relator për procedurën e transferimit nëpërmjet lëvizjes paralele për pozicionin vakant Nr.4 në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë;
- Zoti Sokol Stojani, relator për procedurën e transferimit nëpërmjet lëvizjes paralele për pozicionin vakant Nr.1 në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.
Pas miratimit unanim të projekt-aktit “Për verifikimin e pasurisë dhe figurës së zonjës Klerta Çonga (Gjika), kandidate për magjistrat prokurore”, Këshilli vendosi gjithashtu me 10 vota pro, “Miratimin e listës emërore për 23 ( njëzet e tre) kandidatë, të cilët u diplomuan ditën e sotme nga Shkolla e Magjistraturës, për vitin akademik 2024. Me miratimin e kësaj liste, Këshilli i hap rrugë vijimit të procedurave për emërimin e tyre si prokurorë.
Pasi u njoh me Relacionin e Komisionit të Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi unanimisht, të miratojë pezullimin e vlerësimit etik dhe profesional për prokurorin Petref Asllani.
Gjithashtu, Këshilli votoi me 8 (tetë) vota pro, në mungesë të znj. Seiti dhe z. Staka, miratimin e projekt-aktit “Për një ndryshim në vendimin nr.406, datë 28.12.2023, për “Caktimin me short të prokurorëve për të cilët do të kryhet vlerësimi etik dhe profesional përgjatë vitit 2024, të relatorit dhe këshilltarit ligjor përgjegjës për procedurën e vlerësimit”. Pas hedhjes së shortit, rezultoi se z. Gentian Abazaj do të jetë relatori që do të kryejë vlerësimin etik dhe profesional për prokurorin z. Erion Shehaj.
Gjatë kësaj mbledhjeje, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi me votë unanime miratimin e projekt-aktit “Për vlerësimin etik dhe profesional në kuadër të kërkesës për vlerësim të përshpejtuar për Vitjuna Terpollari (Mata), duke shënuar njëkohësisht edhe siparin e miratimeve të procedurave të kësaj natyre. Miratimi i këtij projekt-akti konsiderohet nga Këshilli si një momentum i rëndësishëm në veprimtarinë e gjithë punës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Në përfundim të mbledhjes, Këshilli votoi unanimisht edhe për miratimin e dy çështjeve të shtuara në rend të ditës, respektivisht; Miratimin e veprimtarisë jashtë funksionit për prokuroren Manjola Kajana dhe Ndryshimin e anekseve 2, 5, dhe 6, si dhe tabelat përbërëse të këtyre anekseve, si pjesë përbërëse të rregullores “Për vlerësimin etik dhe profesional të prokurorëve” e ndryshuar.