Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Mirela Bogdani, prezantoi në Kuvendin e Shqipërisë raportin vjetor për vitin 2023. Raporti ofroi një tablo të plotë të aktiviteteve të Këshillit, duke trajtuar çështje kyçe si vendimet e marra gjatë këtij viti, procesin e vlerësimit, menaxhimin e karrierës së prokurorëve në kushtet e zbrazjes së sistemit, bashkëpunimet institucionale, raportimet në kuadër të procesit screening, etj.
Raporti detajoi punën e Komisioneve të Përhershme në hartimin dhe miratimin e rregulloreve dhe vendimeve. Gjatë vitit 2023, Këshilli ka marrë gjithsej 406 vendime, në 32 mbledhje plenare. Vendimmarrja ka qenë kryesisht e lidhur me akte administrative individuale në funksion të karrierës së prokurorëve. Këshilli ka punuar intensivisht për hartimin dhe miratimin e disa akteve nënligjore kryesisht në formën e Rregulloreve.
Në përgjigje të situatës së krijuar në janar të vitit 2023, kur është implementuar edhe harta e re gjyqësore, është bërë ristrukturimi i prokurorive, duke i grupuar ato në 13 prokurori dhe përkatësisht në prokuroritë Dibër, Durrës, Fier, Gjirokastër, Lezhë, Korçë, Kukës, Shkodër, Tiranë, Berat, Elbasan, Sarandë dhe Vlorë.
Lidhur me të dhënat mbi procesin e rivlerësimit kalimtar të Prokurorëve për vitin 2023, u parashtrua se është me rëndësi të përmendet fakti se të gjithë raportet e përpiluara nga KLP janë pranuar pa rezerva nga institucionet e Vetting-ut.
Lidhur me bashkëpunimin e Këshillit me institucione të ndryshme, është intensifikuar bashkëpunimi dhe koordinimi institucional me Prokurorinë e Përgjithshme, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Inspektorin e Lartë të Drejtësië, Shkollën e Magjistraturës, Ministrinë e Drejtësisë, Kuvendin dhe misionet ndërkombëtare si OPDAT dhe EU 4 Justice. Këshilli ka garantuar transparencën dhe ka krijuar një komunikimi të mirë me publikun dhe median.
Znj. Bogdani përsëriti përkushtimin e Këshillit për të reflektuar dhe përmbushur detyrimet kushtetuese dhe ligjore, ato në kuadër të integrimit evropian dhe procesit screening, rekomandimet e parashtruara në Progres Raportet e BE dhe Rezolutën e Kuvendit, duke siguruar që sistemi i prokurorisë të funksionojë me profesionalizëm, integritet, pavarësi dhe transparencë, duke rritur në këtë mënyrë efikasitetin dhe besimin e publikut.
Gjatë seancës, deputetët parashtruan pyetje, të cilave zonja Bogdani iu përgjigj në mënyrë shteruese. Në përfundim, Kuvendi miratoi një rezolutë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, duke nxjerrë 11 rekomandime që do të adresohen nga Këshilli në vitin e ardhshëm. Teksti i plotë i Rezolutës gjendet këtu.