NJOFTIM PËR MEDIA PËR SEANCËN PLENARE, 23.07.2024

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, u mblodh në seancë urgjente, në datën 23 korrik 2024, në prani të 9 (nëntë) anëtarëve, përfaqësuesve nga Ministria e Drejtësisë dhe programet e asistencës OPDAT dhe EU4 JUSTICE.

Me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, miratoi unanimisht 2 (dy) projekt-akte për caktime të përkohshme. Konkretisht, Këshilli vendosi që znj. Anita Jella të caktohet përkohsisht në pozicionin e drejtueses së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe znj. Elidjana Kasa, në pozicionin e prokurores, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Më pas, me propozim të znj. Bogdani, Këshilli vendosi të tërheqë nga rendi i ditës projekt-aktin “Mbi transferimin e përkohshëm pa pëlqim të zonjës Edlira Bako në pozicionin e prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, për të rishikuar edhe një herë relacionin e znj. Bako, në mënyrë që të reflektohet edhe vendimi i gjykatës lidhur me procedurat e lëvizjes paralele ku ajo ka marrë pjesë.

Lidhur me plotësimin e vakancave në pozicionin e prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe Elbasan të propozuara nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi me 5 (pesë) vota pro dhe 4 (katër) kundër, të rrëzojë propozimet “Mbi transferimin pa pëlqim të 8 (tetë) prokurorëve.

Pas debateve për procedurën e ndjekur në plotësimin e këtyre vakancave, zoti Vatë Staka propozoi në Këshill që kandidaturat e sjella përmes këtij projekt-akti, sidomos për Prokurorinë e rrethit Elbasan, e cila aktualisht ndodhet në kushtet e emergjencës, të kalojnë përmes procedurës me caktim të përkohshëm. Në vijim të diskutimeve, Këshilli u tërhoq për t’i lënë kohë Komisionit të Zhvillimit të Karrierës për të vazhduar me vlerësimin dhe evidentimin e kritereve dhe nevojave që paraqiten për mbushjen e vakancave në Prokurorinë e rrethit Elbasan.

Seanca plenare vijoi edhe gjatë ditës së sotme, ku pas një mbledhjeje maratonë, bazuar mbi relacionin shpjegues të përgatitur nga anëtari Relator, z. Staka, Këshilli vendosi miratimin për caktimin e përkohshëm të 3 (tre) prokurorëve në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, konkretisht për z. Gëzim Spahiu, z. Ledion Tema dhe z. Gjergj Ceka. Ky vendim u miratua me 5 (pesë) vota pro dhe 2 (dy) kundër, në mungesë të zotit Stojani dhe zotit Bazaj.